Universitetet, koeficientet për maturantët para 2011-s
Maturantët që e kanë përfunduar gjimnazin para vitit 2011, dhe i janë nënshtruar provimeve me zgjedhje të Maturës gjatë viteve të mëparshme, nëse do të konkurrojnë këtë vit për në universitetet publike të vendit, me rezultatet e marra, pra, pa i ridhënë ato sivjet, duhet të kenë parasysh faktin se në përllogaritjen e pikëve do të përdoren koeficientet e këtij viti. Edhe për këtë vit Ministria e Arsimit ka vendosur që t’i fusë këta të rinj në garën e pranimeve në universitete në kushte të barabarta konkurrimi me maturantët e vitit 2011. Arsyeja qëndron në faktin se më parë, me përjashtim të Maturës 2010, kur u aplikua për herë të parë ky rregull, për këta maturantë në procesin e llogaritjes së pikëve u mor parasysh koeficienti që lënda kishte pasur në vitin që ishte dhënë provimi. Në këto kushte, mundësitë për të vijuar studimet e larta për maturantët e vjetër ishin edhe më të mëdha, sidomos për ata që kishin dhënë si provim me zgjedhje lëndët që kanë pasur koeficient më të lartë, krahasuar me ata të vitit aktual. Për këto arsye, MASH ka vendosur që maturantët që e kanë mbaruar shkollën e mesme para këtij viti dhe duan të konkurrojnë për në universitet me rezultatet e mëparshme të provimeve me zgjedhje, në përllogaritjen e pikëve do t’u merret parasysh koeficienti që lënda ka këtë vit. Sipas nenit 27 të rregullores së Maturës 2011, të gjithë maturantët/kandidatët që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008, 2008 - 2009 dhe 2009-2010 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të universiteteve publike të vendit (e vërtetuar nga APRIAL dhe dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë vetë ridhënien e tyre.
Sakaq, MASH ka vendosur që në përllogaritjen e pikëve për sistemin Meritë-Preferencë për këto lëndë të merren koeficientet e këtij viti. Kurse, në rast se maturanti/kandidati e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i arritur në vitin e fundit. Në rastet kur kandidatët dëshirojnë të rijapin provimet me zgjedhje, i rijapin ato në shkollat e mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën e Pjekurisë dhe mandat-pagesën e një tarife, masa dhe modalitetet e të cilës bëhen të njohura nga MASH. Sipas MASH, të gjithë maturantët që kanë dhënë vetëm provimet e detyruara, për të ndjekur programet e studimit që ofrohen në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat këtë vit, duhet të japin provimet me zgjedhje në shkollat e mesme sipas listës të përcaktuar e të miratuar nga DAR/ZA-të.
Po ashtu, për këtë vit, MASH ka përcaktuar edhe disa rregulla të reja për maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para këtij viti shkollor dhe që i janë nënshtruar më parë provimeve të Maturës. Sipas ndryshimeve të bëra nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, maturantëve të para vitit 2011 nuk u njihet rezultati i provimit të lëndëve me zgjedhje, në rast se në vlerësimin e shkallëzuar kanë marrë notën nën 4.5. Këta maturantë duhet të përcaktojnë lëndën/lëndët me zgjedhje që duhet të japin, duke plotësuar formularin A1 të Maturës Shtetërore 2011, kur nuk kanë fituar asnjë nga provimet e detyruara (D1 dhe D2), dhe formularin A1Z, kur kanë fituar një nga provimet e detyruara (D1 ose D2). Ndërsa për maturantët e vitit 2010, që nuk kanë marrë një ose dy provime të detyruara, por kanë marrë një ose dy provime me zgjedhje dhe kërkojnë t’i bartin ato, duhet të plotësojnë formularin A1Z.