E Diel, 1 Nëntor 2026

SKENAR GREK NE SFOND/ FMN: Buxheti është jorealist, borxhi po ju rrezikon, duhet të rrisni taksat

Eh sa herë do na duhet të kujtojmë me mall dekadën që lamë pas. E jo vetëm pse e ka thënë Ridvan Bode se kohërat e arta nuk do kthehen më, por sepse zyrtarisht FMN po e përgatit Shqipërinë për një të ardhme të zymtë. Në rast se qeveria nuk merr masa urgjente, atëherë vendi rrezikon një skenar grek. Në konkluzionet e misionit të FMN, të botuara më poshtë të plota, thuhet se borxhi publik po shkon tek limitet e lejuara e rrezikon për më tepër rritjen ekonomike, e cila nuk do jetë kurrë si në dekadën që mbyllëm.

Në një kohë që qeveria shqiptare po bëhet gati të marrë një borxh 100 milionë euro për ndërtimin e një Parlamenti të ri, FMN bën apel që të kihet kujdes në këtë drejtim. Pasojat e një borxhi të madh publik po i vuajnë sot shumë vende, ndër të cilat Greqia fqinje, e cila ka arritur në një pikë kritike në ekonominë e saj. Shefi i misionit të FMN-së, Geruin Bell i tha qeverisë se duhet të bëjë kujdes me borxhin publik.  Është rrezik niveli i lartë i borxhit publik- paralajmëroi Bell në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Financave Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Është e rëndësishme të kuptohet që borxhi të mos arrijë 60 % që konsiderohet si maksimum. Sipas Bell “për vende në zhvillim si Shqipëria ky është një nivel mjaft i lartë. Duhet ta ulni në 50 % nga 59 % që është aktualisht.- tha Bell. Niveli aktual i borxhit publik të Shqipërisë është 59% e Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas Bell parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike në Shqipëri është në 2.7 %, ndërkohë që në fjalën e mbajtur nga ministri i Financave, Bode, para shefit të FMN-së, tha se rritja ekonomike parashikohej deri në 5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

FMN madje ka qenë më e prerë: Duhet të rrisni taksat për të shmangur problemin e borxhit e për të risjellë ekonominë në shina. Por ministri i Financave, Ridvan Bode thotë se nuk kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë, por do operojnë me shkurtimin e shpenzimeve. A është ky një skenar zgjidhje? FMN thotë se shkurtimi i shpenzimeve mund të jetë po ashtu një minë me sahat. Do ketë vonesa në mbylljen e projekteve e vonesa në pagesa. Të tilla kemi parë sa të duash në këtë vit elektoral, që e ka bërë buxhetin sipas FMN, që të jetë nën presion. Kjo edhe për shkak se parashikimet për buxhetin nuk janë realiste. Madje FMN propozon që të ketë një tjetër formulë për hartimin e planit për të ardhurat, duke ia lënë në dorë një këshillit të pavarur fiskal e apolitik. E si të mos mungonin të gjithë këto kritika për politikat makroekonomike, FMN ka edhe një këshillë: duhet të ngushtohet hendeku në standardet e jetesës. Nëse vetëm 4 përqind e popullsisë kontrollojnë gjithë pasurinë e vendit, atëherë kjo do sillte edhe një krizë sociale.

Konkluzionet e FMN

1. Ekonomia shqiptare ka treguar një ecuri të admirueshme në të shkuarën e afërt. Shqipëria e përballoi mirë krizën financiare botërore të vitit 2009 dhe ndryshe nga shumica e ekonomive europiane, shmangu një rënie dhe ka kryesuar përsëri rritjen ekonomike në rajon. Për më tepër, megjithë përkeqësimin thelbësor në cilësisë e aktiveve, sektori financiar e provoi veten të qëndrueshëm dhe nuk pati nevojë për mbështetje nga fondet publike. Gjatë gjithë kësaj kohe, inflacioni ka mbetur i mirëankoruar. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, ribalancimi i nevojshëm i ekonomisë ka filluar, eksportet janë rritur, si dhe defiçiti i lartë i llogarisë korente ka nisur të ngushtohet.

2. Megjithatë, si edhe në shumë vende të tjera, rritja është ngadalësuar nga nivelet e larta të para krizës. Rritja ekonomike për vitin 2010 vlerësohet rreth 3½ për qind dhe ne parashikojmë që të ngadalësohet më tej në 2 përqind në 2011, për shkak të kërkesës së dobët vendase dhe eksporteve më të moderuara. Duke qenë se potenciali i përafrimit mbetet dhe investimet e kohëve të fundit në infrastrukturë do të bëhen funksionale, në afatin e mesëm, rritja mund të rimëkëmbet në rreth 4 përqind me disa përmirësime në qëndrueshmërinë e sektorit të jashtëm. Këto nivele, megjithëse të respektueshme, janë ndjeshëm nën mesataren prej 6 përqind të dhjetëvjeçarit të shkuar dhe gjithashtu subjekt i rreziqeve, përfshirë dhe ato që rrjedhin nga niveli i lartë i borxhit publik.

3. Politikat ekonomike duhet të veprojnë për të rritur qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe për të ngushtuar sa më shpejt hendekun në standardet e jetesës. Arritja e njëkohshme e një rritje ekonomike më të fortë dhe me bazë të gjerë, rezistence më të lartë ndaj rreziqeve, si dhe qëndrueshmëria e sektorit të jashtëm janë të mundura. Konsolidimi fiskal i bazuar në një kuadër politikash të qëndrueshme

4. Konsolidimi fiskal është prioriteti afat-shkurtër dhe afat-mesëm për të përmirësuar ecurinë ekonomike dhe për të ulur riskun. Kjo do të ulte riskun e shoqëruar me nivelin e lartë të borxhit publik dhe do të përshpejtonte qëndrueshmërinë e sektorit të jashtëm duke ndihmuar në ngushtimin e defiçitit të llogarisë korente. Për më tepër, defiçitet më të ulëta do të nxisnin rritjen ekonomike të udhëhequr nga sektori privat, duke rritur fluksin e kredive për ekonominë dhe siguruar norma më të ulëta interesi.

5. Ashtu si në 2010, buxheti është përsëri nën presion. Me politikat dhe trendin aktual deficiti parashikohet të rritet në 4 përqind të PBB-së në 2011 dhe mbi 5 përqind në afatin e mesëm. Kjo do të çonte borxhin publik shumë afër tavanit ligjor. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, një tjetër rishikim i buxhetit në mes të vitit bëhet i domosdoshëm. Duhet të realizohen shkurtime prej rreth 1½ përqind e PBB-së (20 miliardë lekë). Në vitet e ardhshme do të kërkohen akoma më shumë përpjekje për konsolidim fiskal.

6. Mosrealizimi i përsëritur i buxhetit nënvizon nevojën për një kuadër makroekonomik më realist. Aktiviteti më i dobët ekonomik i ka vënë nën presion të ardhurat, por mosrealizimi krahasuar me buxhetin fillestar pasqyron kryesisht parashikimet tepër optimiste. Parashikime më realiste për të ardhurat mund të arrihen nëse ato do ti ngarkohen një këshilli fiskal të pavarur dhe apolitik apo duke i bazuar ato në parashikimet e pavarura të institucioneve profesioniste. Surprizat pozitive në të ardhura, duhet të shkojnë për uljen e borxhit.

7. Një rregull fiskal i bazuar tek shpenzimet mund të përbëjë fokusin e një politike fiskale të qëndrueshme. Nevoja e kohëve të fundit për shkurtime të paplanifikuara të shpenzimeve në mes të vitit, rrezikon përfundimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës, mund të shkaktojë detyrime të pashlyera dhe vonesa në pagesa, si dhe të çojë në rritjen e shpenzimeve të institucioneve buxhetore të linjës në fillim të vitit. Nëse buxheti bazohet në në një rritje të kufizuar të shpenzimeve, këto rreziqe shmangen, ulet nxitja për një optimizëm të tepruar në parashikimin e të ardhurave, ndihmon në largimin e dyshimeve të investitorëve lidhur me angazhimin e qeverisë për një qeveri të vogël, si dhe ofrohet një ankorë afat-mesme për uljen e borxhit. Për shembull, objektivi i parakrizës i qeverisë për të ulur borxhin në 50 përqind të PBB-së në afatin e mesëm, mund të arrihet nëse kufizohet rritja reale vjetore e shpenzimeve primare në 1¾ përqind.

8. Konsolidimi i nevojshëm fiskal do të kërkojë masa të besueshme dhe përpjekje të vazhdueshme. Interesat, pagat dhe transfertat përbëjnë më shumë se dy të tretat e çdo leku që qeveria mbledh në taksa dhe tarifa. Nëse shpenzimet kapitale do të mbahen në nivelin aktual të PBB-së, pagat dhe transfertat do të duhet të indeksohen vetëm me inflacionin.

9. Nëse shkurtimet e shpenzimeve shihen si jo realiste, atëherë taksat direkte ose kontributet duhet të rriten. Një prej masave mund të jetë anullimi i

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›