Buxheti i Tiranës mbetet pa miratuar deri në shtator
Miratimi i fondit për 600 familje të pastreha, për ata që nuk mund të përballojnë çmimet e qirave, si dhe buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2010, ishin temat e diskutuara dje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Edhe pse diskutimet zgjatën për disa orë me radhë, miratimi i buxhetit të bashkisë për vitin 2010 mbeti përsëri pezull. Ndërkohë që kjo çështje duhet të kishte marrë “udhën” që në muajin prill të këtij viti. Rëndësia e këtij takimi qëndroi në miratimin e listës së familjeve që do të përfitojnë kredi të zbutura nga shteti, si dhe në vendimin për bonusin e qirasë. Ky i fundit parashikon heqjen e shpenzimeve të qirasë nga fondi i bashkisë për ato familje që nuk mund të paguajnë çmimet që operojnë sot në kryeqytet. Mbledhja e Këshillit Bashkiak u shoqërua me polemika dhe debate të ashpra, për shkak të përplasjes së propozimeve dhe mendimeve të këshilltarëve të PS-së dhe atyre të PD-së. Gjatë takimit të djeshëm u diskutua mbi disa tema të rëndësishme, duke përfshirë këtu fondin që do të përfitojnë familjet e pastreha, si dhe ato që për shkak të kushteve të vështira ekonomike nuk mund të përballojnë çmimet e qirave të shtëpive. Krahas kësaj, debate të ashpra nxiti sidomos diskutimi mbi miratimin e buxhetit të vitit 2010, niveli aktual i taksave dhe tarifave, si dhe ndërtimi i Unazës së Madhe. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, tha se në këtë buxhet prioritete mbeten transporti publik, sinjalistika, sipërfaqet e gjelbra dhe infrastruktura rrugore. Ndërkohë, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishi, theksoi se niveli i taksave i miratuar në këtë buxhet është shumë i lartë. Por nga ana tjetër, këshilltarja demokrate, Suzana Guxholli, tha se buxheti i parashikuar për këtë vit në Bashkinë e Tiranës është thjesht teorik dhe aspak konkret. Ajo i kërkoi me këmbëngulje nënkryetares së bashkisë një tabelë të detajuar të taksave që paguajnë qytetarët shqiptarë. Sipas saj, ata duhet të marrin në konsideratë pakënaqësitë që shfaqin shqiptarët për taksat e larta të pastrimit dhe gjelbërimit, ndërkohë që këto shërbime nuk ofrohen nga bashkia e kryeqytetit. I të njëjtit mendim ishte edhe kreu i këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni, i cili e ka quajtur anormale mungesën e kreut të bashkisë në këtë mbledhje. Poni parashtroi një seri pyetjesh, që sipas tij nuk kanë marrë ende përgjigjen e merituar nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës. “A ekzistojnë rezerva në buxhetin e shtetit, që t’i ndihmojmë qytetarët për të paguar më pak taksa nga ato që paguajnë aktualisht? Si është mbyllur buxheti i vitit 2009 dhe sa fonde janë shpenzuar deri tani?”, pyeti Poni. Sipas tij, ata duhet të qëndrojnë në anën e qytetarëve, për t’i lehtësuar sadopak shpenzimet, jo në krah të një administrate të korruptuar. Gjatë debatit për trafikun e Tiranës, Dhimitri tha se marrëveshja e kredisë është duke u negociuar dhe pritet të finalizohet së shpejti. Sipas saj, vendimi final për miratimin e këtij projekti u takon instancave përkatëse. “Kemi planifikuar ndarjen e korsive që do të përcaktohen në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit. Kemi përgatitur njëkohësisht edhe projektin për ndërtimin e 2 parkingjeve nëntokësore, të cilat pritet të miratohen së shpejti”, theksoi nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës. Në të njëjtën kohë ajo lançoi edhe projektin për ndërtimin e Unazës së Madhe, e cila sipas saj është gati për t’u vënë në zbatim.
#