Vrasja e Konomit, kërkohet informacion mbi gjermanen
Franc Konomi nuk ka qenë në Spanjë dhe nuk ka pasur lidhje me asnjë person në këtë shtet. Kështu janë shprehur familjarët e tij, duke kundërshtuar pistën më të fortë të hetimeve të policisë, ndërkohë që mbetet enigmatike edhe lidhja e tij me një shtetase gjermane, për gjetjen e së cilës dhe informacione për të, grupi hetimor ka kërkuar ndihmë nga homologët në Gjermani. Ndërkaq, ditën e djeshme, grupi hetimor ka vazhduar me marrjen në pyetje të të afërmve të Konomit dhe miqve të tij, ku është rimarrë në pyetje mikesha 23-vjeçare, studente e Arkitekturës.
Burimet nga grupi hetimor thanë se gjatë marrjeve në pyetje të familjarëve, asnjëherë nuk është pranuar prej tyre se ai ka qenë në Spanjë, megjithëse kjo vërtetohet në rrugë të tjera hetimore. Gjithashtu, familjarët e 42-vjeçarit e kanë shprehur këtë edhe me persona të tjerë, duke treguar se Franci nuk kishte asnjë lidhje me Spanjën dhe se nuk dyshonin që hetimet për vrasjen e djalit të tyre duhet të shkojnë aq larg. Ata kanë hedhur akuza mbi policinë në lidhje me vdekjen e të afërmit të tyre, duke u shprehur se policia nuk i kishte ofruar ndihmën e parë. Por, sipas policisë, menjëherë pas ngjarjes, ai është dërguar në spital me makina të rastit dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës, për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë.
Veç këtij fakti, policia shqiptare ka kërkuar ndihmë edhe nga homologët gjermanë, pasi mendohet se gruaja e Franc Konomit, e cila është gjermane, mund të ketë të dhëna të dobishme për hetimin. Në këto kushte, policisë gjermane i është dërguar letërporosi, me qëllim marrjen në pyetje të saj, ku mendohet se do të shkojnë oficerë të policisë shqiptare për të kryer këtë detyrë. Por, miq të Konomit janë shprehur se ai kur shkonte në Gjermani jetonte te ta dhe se nuk kishte aktivitet andej, veç kur bënte udhëtime turistike.
Edhe ditën e djeshme, policia ka vijuar me marrjen në pyetje të personave të ndryshëm, që nga të afërt të Konomit, deri te persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Madje, dje është rimarrë në pyetje edhe mikesha e tij 23-vjeçare, e cila është studente e Arkitekturës. Mbi provat e mbledhura, burimet e prokurorisë thanë se autorët e krimit janë të moshës 25-30 vjeç. Ata mendohet se kanë bashkëpunuar me Konomin në Spanjë. Gjithashtu dyshohen edhe për grabitje të dhunshme në këtë shtet dhe vrasje për hakmarrje. Grupi, sipas hetimeve, mendohet shumë i fuqishëm. Për këtë arsye, katër persona janë vendosur nën përgjim, si edhe në vëzhgim nga operacionet speciale. Aktualisht, për shkak edhe të informacioneve të shumta që kërkohen, po bashkëpunohet edhe me strukturat më të larta të policisë shqiptare dhe me ato homologe, si në Spanjë, ashtu edhe në Gjermani. Nga një dëshmi e një tjetër emigranti në Spanjë, policia ka vërtetuar se Konomi ka pasur konflikt me këtë grup të dyshuar dhe kjo mund të ketë sjellë hakmarrjen ndaj tij. Madje, gjykata ka miratuar edhe kontrollin e disa banesave dhe tre serviseve, që aktualisht mbahen nën mbikëqyrje dhe që mendohet se mund të sjellë prova të reja për këtë krim. Njëkohësisht, policia nuk ka lënë mënjanë edhe pista të tjera hetimore.
#