Gjergj Dedaj emërohet zëvendës i Limajt
Qeveria e Kosovës ka emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Gjergj Dedajn, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili nga kjo pozitë është shkarkuar prej Kryeministrit të vendit jo më larg se dy muaj më parë. Sipas portalit “Ekonomisti”, lajmin për emërimin e Dedajt në postin e zëvendësministrit të Transportit e kanë marrë të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar. “Qeveria e Kosovës ka emëruar zëvendësministër të dytë në Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit Gjergj Dedajn. Vendimi është marrë dje dhe janë njoftuar të gjitha ministritë”, ka thënë zyrtari i lartë i qeverisë, i cili nuk deshi që t’i përmendej emri, shkruan “Ekonomisti”. Lajmin e ka konfirmuar përmes telefonit edhe vetë Gjergj Dedaj. Mediat e Kosovws theksojnë se ky vendim është duke u komentuar si një ndër vendimet më të çuditshme të qeverisë sa u përket emërimeve dhe shkarkimeve të zyrtarëve të lartë të institucioneve. “Gjergj Dedaj është shkarkuar nga e njëjta pozitë, të cilën e ka pasur në një ministri tjetër dhe shkarkimet e atyre zv.ministrave janë bërë me arsyetime se nuk kanë qenë efikas në punët e tyre dhe kanë pasur edhe shkelje të tjera. Tashmë vjen një vendim që i njëjti person i shkarkuar jo më larg se dy muaj më parë është emëruar prapë në të njëjtën pozitë, vetëm se i është ndërruar ministria”, ka thënë burimi i “Ekonomistit”. Ndryshe, postin e zëvendësministrit të parë në këtë ministri, pas dorëheqjes së Adem Grabovcit, e mban Emin Krasniqi.
#