Buxheti në krizë, deri në tetor rrezikohen edhe pagat
Shpenzimet pa kriter, përfshi edhe fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit e kanë zhytur buxhetin e shtetit në një krizë të thellë ekonomike. Ministria e Financave ka përgatitur një draft emergjent për të frenuar të gjitha shpenzimet e tjera, përveç pagave mujore. Megjithatë deri në tetor kur të nis nga puna qeveria e re, edhe zëri i pagave dhe pensioneve rrezikohet të ketë vonesa dhe probleme me shpërndarjen.
Drafti
Drafti i bërë gati nga ekspertët ndalon çdo prokurim të ri publik për investime dhe ngrin shpenzimet për dieta e udhëtime të administratës. Kufizimi i shpenzimeve në mes të vitit buxhetor është shndërruar në një traditë për financat publike, që pas vitit 2009. Por këtë herë situata është edhe më e rënduar. Burime nga Financat thanë dje për mediat se është e domosdoshme që urdhri të kalojë sa më parë në qeveri për të marrë formën ligjore, pasi çdo ditë që kalon financat e shtetit përkeqësohen më shumë deri në pamundësi për të shlyer detyrimet emergjente.
Shpenzimet
Për pesë muajt e parë të vitit, qeveria ezauroi 80 për qind të gjithë kufirit vjetor të huamarrjes së brendshme, ndërkohë që në qershor shifra është rritur edhe më shumë. Nisur nga kjo situatë, Thesari ka filluar të mos shlyejë faturat. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, vetëm këto muajt e fundit janë krijuar 2 miliardë lekë detyrime të pashlyera ndaj bizneseve, që kanë kryer punë publike gjatë muajve të fundit. Këto janë fatura të njohura zyrtarisht dhe të pranuara në Thesarin e shtetit, veç malit të borxheve të prapambetura, deri në 200 milionë euro, që është akumuluar gjatë viteve të fundit, sqarojnë burimet.
Rishikimi i buxhetit
Pas humbjes së zgjedhjeve, qeveria në detyrë nuk e ka më mandatin për të ndërhyrë në buxhet. Pritet që rishikimi i detyrueshëm i buxhetit të ndodh në muajin tetor nga qeveria e re. Por me të ardhurat në rënie dyshifrore dhe borxhin ligjor gati të ezauruar 100 për qind, rreziku kryesor deri në formimin e qeverisë së re nuk është më vetëm borxhi i keq ndaj biznesit, por edhe aftësia e qeverisë për të paguar në kohë pensionet dhe rrogat e administratës.
2
miliardë lekë është shuma e detyrimeve të pashlyera ndaj bizneseve, që kanë kryer punë publike gjatë muajve të fundit
200
milionë euro janë borxhet prapambetura të qeverisë kundrejt bizneseve, që janë akumuluar gjatë viteve të fundit
80
për qind të kufirit vjetor të huamarrjes së brendshme, ezauroi qeveria për pesë muajt e parë të vitit