Thyhet premtimi, nuk do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve
Ka dështuar nisma e përvitshme e Qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve më 1 korrik. Të paktën për momentin buxheti i shtetit nuk i ka mundësitë financiare për të realizuar këtë projekt, që u trumbetua me të madhe dy javë më parë nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Burime zyrtare nga Ministria e Financave, bënë të ditur dje në media se projekti i hartuar më parë tashmë është rrëzuar dhe sipas tyre, kjo do të jetë në dorë të qeverisë së re nëse do ta bëjë efektiv apo jo. Duket se situata e vështirë e financave publike gjatë gjysmës së parë të vitit ka qenë faktori kryesor që ka detyruar qeverinë aktuale të tërhiqet nga zbatimi i këtij vendimi, për herë të parë gjatë 8 viteve të fundit. Zyrtarisht për pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore në buxhet janë afro 14 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa deficiti buxhetor ishte mbi 38 miliardë lekë, afro 80% e gjithë deficitit vjetor të programuar. Vetëm në një muaj qeveria përfitoi një shumë totale prej 11,5 miliardë lekësh në 5 ankandet e bonove të thesarit të zhvilluara dhe përsëri këto para nuk kanë mjaftuar për të mbajtur premtimin për rritjen e pagave dhe pensioneve, që pritej të kishte një efekt financiar prej 2.5 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit. Ky fond ishte parashikuar që në miratimin e buxhetit në fillim të vitit, në zërat politika të reja pagash më vlerë 1 miliard lekë dhe politika të reja pensionesh në vlerë 1.5 miliard lekë. Konsolidimi fiskal dhe mbajtja nën kontroll e borxhit pritet të jenë një sfidë urgjente me të cilën qeveria e re duhet të përballet qysh ditën e parë. Ndërsa mbetet për tu parë nëse do të realizohet edhe rritja e pagave dhe pensioneve brenda këtij viti.