Buxheti në krizë likuiditeti, për 6 muaj Qeveria ka marrë 90% të borxhit të lejuar vjetor
Buxheti është përfshirë nga një krizë e thellë likuiditeti që rrezikon ta vendosë vendin në pamundësi qeverisje financiare për muajt e mbetur, raporton TCH.
Të dhënat zyrtare nga financat tregojnë se deri në qershor, qeveria ka konsumuar 90.1 për qind të huamarrjes së brendshme. Në buxhetin e vitit 2013, Parlamenti e ka autorizuar qeverinë të marrë për gjithë vitin 28 miliardë lekë borxh të brendshëm.
Por deri në fund të qershorit qeveria ka marrë 25.2 miliardë, duke lënë për gjysmën e mbetur të vitit vetëm 2.8 miliardë lekë. Huamarrja e brendshme është instrumenti që i lejon qeverisë të financojë diferencën mes shpenzimeve të përditshme dhe të ardhurave që ajo mbledh nga taksat dhe burimet e tjera.
Kjo do të thotë se me gjendjen aktuale në 6 muajt e mbetur të vitit, qeveria nuk duhet të shpenzojë asnjë lek më shumë nga taksat që mbledh. Për ekspertët kjo është e pamundur sepse aktualisht ë ardhurat nuk financojnë dot as shpenzimet më të detyrueshme të buxhetit, që janë pagat, pensionet dhe interesat e borxhit./b.l