Buxheti, përplasje në Kuvend

Kryeministri Sali Berisha premtoi brezare me ullinj, opozita foli për mashtrim 400 përqind me buxhetin 2009 Berisha braktisi sallën duke përqeshur ata që kanë paguar taksat që mbushin thesin e qeverisë
“Shqipëria-ullishtja më e bukur e Mesdheut”
Kryeministri Sali Berisha premtoi mbrëmë njerëzve brenda dhe jashtë Kuvendit, të zgjedhur dhe zgjedhës se do ta shndërronte Shqiprinë në ullishten më të bukur të Mesdheut. Me besim dhe me bindje në vetvete përsa po thoshte, Berisha u tregoi të tërëve se Shqipëria do të mbante vendin e parë për rrënjë ullishnj. Premtimet e Berishës u përzienë me të qeshura të gjata në sallë nga deputetët, që pak u besuan këtij zëri të pritshëm të theksuar në Buxhetin e Shtetit 2009. “Një nga projektet më të mëdha të mi është ta bëj Shqipërinë ullishtën më të bukur të Mesdheut. Jam i vendosur që në një projekt të madh të vesh shpatullat e maleve nga Shkodra në Ksamil plot me ullinj që Shqipëria të kthehet në një nga prodhuesit më të rëndësishëm të ullirit në BE. Edhe kur u zotova për rrugën, ju qeshët, edhe kur fola për internetin këshu përqeshët por e patë si e mbajta premtimin. Në ditët që do vijnë ky do jetë projekti më i madh i qeverisë time. Puna ka filluar. Viti 2009 do të shtrojë bazat për këtë projekt të rëndësishëm për mbushjen e Shqipërisë me ullinj”-tha kryeministri pa thënë ndonjë gjë të saktë kundrejt kritikave të opozitës se buxheti i tij ishte 400 për qind mashtrim. “Me këtë buxhet po shohim se ju keni mbetur në vend. Sali Berisha, ti nuk mund t’i gënjesh më shqiptarët me shifra bruto, kur shqiptarëve vetë nuk u dalin ato lekë as për të blerë gjërat minimale të jetesës”-tha Arben Malaj, ish-ministri i Financave që mori arkën e shtetit në dorë pasi Berisha dorëzoi drejtimin e vend të mbytur nga kriza e jashtëzakonshme e vitit 1997.
Diskutimi mbi buxhetin, largohen Berisha dhe Bode
Pas fjalës së tyre, kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, kanë braktisur sallën e parlamentit, për të mos dëgjuar kundërshtimet e opozitës.
Malaj: Shqipëria në toplistën e vendeve me korrupsion dhe prapambetje fiskale
Debate të ashpra kanë shoqëruar mbrëmë seancën plenare mbi buxhetin e shtetit për vitin 2009, ku ekspertët e opozitës kanë akuzuar për dështime fiskale kryeministrin Berisha dhe ministrin e Financave, Ridvan Boden. Marrja e fjalës nga përfaqësuesit e së majtës është shoqëruar me largimin e heshtur nga salla të Berishës dhe ministrit Bode, çka ka sjellë edhe pakënaqësinë e opozitës në kohën kur si rend dite ishte parashikuar diskutimi mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Në hapjen e seancës plenare, kryeministri Berisha theksoi se prioritet nga fondet e vëna në dispozicion për vitin që vjen, do t’i jepet ndërtimit të rrugëve dhe projekteve infrastrukturore në përgjithësi. Sipas tij, viti 2009 pritet të jetë viti i rritjes së të ardhurave në nivele historike, në një kohë kur edhe taksat janë më të ulëtat në rajon. “Ky është buxheti i shndërrimit të Shqipërisë, në një kantier gjigant të ndërtimit të infrastrukturës evropiane dhe rrjetit të ri rrugor. Vetëm në qarkun e Vlorës po ndërtohen rreth 150 km rrugë kombëtare dhe autostrada nga Levani në Konispol, në qarkun e Kukësit janë 120 km rrugë, dhe autostrada në qarkun e Gjirokastrës rreth 60 km, në Fier rreth 100 km, në Korçë rreth 74 km, në Elbasan 54 km dhe në qarkun e Dibrës 52 km”, tha mbrëmë kryeministri. Ndërsa midis të tjerësh, fjalën e mori edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Edmond Spaho, i cili gjatë diskutimit në seancë plenare të projektbuxhetit për vitin 2009, se “në prioritet të programit për këtë buxhet do të jenë rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe dyfishimi i pagave për sektorin e arsimit dhe shëndetësisë dhe i pensioneve në fshat. Spaho deklaroi se taksa e sigurimeve shoqërore për biznesin do të ulet nga 20 në 15 për qind.
Kundërshtimet e opozitës
Sipas ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, një e metë e qeverisë shqiptare është ajo e thithjes në nivele fare të ulëta të parave të donatorëve, të cilat deri tani përllogariten vetëm 10 milionë euro, shumë kjo tepër e ulët në krahasim me kohën kur qeverisnin të majtët. Më tej, Malaj deklaron se statistikat e instituteve të pavarura ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë në toplistën e vendeve më problematikë. “Pse të mos u referohemi statistikave dhe raporteve të instituteve të pavarura që e rendisin vendin tonë ndër vendet me korrupsion më të lartë, me papërgjegjshmëri qeverisjeje më të madhe dhe dështim total të plotë. Për nivel korrupsioni, qeveria krahasohet me atë në Bjellorusi, ndërsa në të gjithë sektorët e ekonomisë ka vetë dështime”, deklaroji Malaj. Në fakt, direkt pas kryeministrit fjalën e mori deputet Erion Braçe, i cili, për sa u përket investimeve në rrugë, tha se nuk janë mbajtur premtimet e dhëna në fillim të këtij mandati për ndërtimin e 4000 km rrugë rurale. Ai shtoi më tej, se nuk është mbajtur premtimi as për uljen e taksave dhe korridoret rrugore, si ai Lushnjë-Vlorë, janë me dy vjet vonesë, në sezonin turistik mungoi uji 24 orë.