E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, fillimi ishte i vrullshëm...

Organi i hetimit duket i përgjumur kur politika nuk e sulmon. Ku kanë ngecur dosjet e mëdha në 365 ditët e drejtimit të Silvia Kontit shqiptare

Si sot një vit më parë, gjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda, Ina Rama, merr detyrën e kryeprokurores, pozicion të cilin ndoshta nuk e kishte menduar ndonjëherë. Emërimi i saj në krye të akuzës votohet me konsensus në parlament, ndërsa kryeministri aktual nxitoi ta quante Silvia Konti, që padyshim do të hetonte edhe dosjet e krimit, mbi të cilat “kishte fjetur” për pesë vjet me radhë paraardhësi i saj, Theodhori Sollaku. Por çfarë ka ndryshuar Ina Rama gjatë një viti në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

Në një vështrim të shpejtë në retrospektivë, duket qartë që, përveç një ristrukturimi të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, që u pasua nga transferimi i 14 prokurorëve, gjithë të tjerat janë thuajse njëlloj. Ashtu si rdhe paraardhësi i saj, Sollaku, Ina Rama nuk ka hapur asnjë dosje krimi nga ato që pozita thotë se ndodhen në prokurori, dhe po njësoj ajo ka filluar të ketë konflikte me qeverinë. Ndoshta po njësoj, organi qendror i akuzës ka filluar të preket nga plogështia dhe një mungesë e theksuar informacioni, të cilat reflektohet jo vetëm në rezultatet reale që pritet të kenë çështjet e mëdha hetimore, të tilla si “Gërdeci”, “Durrës-Kukës” apo dhe “Fazliç”, por edhe në procese penale me objekt nxjerrjen e sekretit hetimor të hapur nga vetë prokuroria.

Llogaritë janë të thjeshta: nën drejtimin e zonjës Ina Rama, prokuroria ka arritur të mbyllë vetëm një dosje të bujshme, atë të zhdukjes së Remzi Hoxhës, hetimi për të cilën ka nisur gjatë kohës kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Theodhori Sollaku. Por cili është fati i çështjeve të tjera hetimore, për të cilat prokuroria asnjëherë nuk thotë asgjë, përfshi dhe informacionet që nuk dëmtojnë hetimin. Mjafton një analizë e përciptë e dosjeve që mund të konsiderohen si sfidë e Ina Ramës dhe ekipit të saj, për të kuptuar përse Prokuroria e Përgjithshme nuk karakterizohet më nga vrulli pozitiv që karakterizon fillimin e çdo hetimi.

“Durrës-Kukës”

Që prej marsit të vitit të shkuar, në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas në atë të Përgjithshme u hetua një nga skandalet më të mëdha financiare që i kalon 1 miliard euro. Edhe pse prokuroria kishte 1 vit e 7 muaj kohë në dispozicion, u desh ndërhyrja e gjykatës për mbylljen e hetimit. Askush nuk dha asnjë shpjegim publik përse organi i akuzës zvarriti kaq shumë hetimet për një çështje që, sipas ekspertëve, i kishte mbyllur llogaritë që në momentin kur Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, për shkak të implikimit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Ndoshta me të drejtë dy nga të pandehurit e kësaj çështjeje vendosën t’i drejtohen gjykatës, e cila u dha të drejtë, duke rrëzuar prokurorinë.

“Gërdeci”

E cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë Shqipëria, dosja “Gërdeci” përkthehet edhe si sfida më e fortë e kryeprokurores Ina Rama dhe stafit të saj. Fillimisht, zonja Rama tha publikisht disa nga veprimet e kryera nga vartësit e saj, si dhe pistat hetimore që do të ndiqeshin në vazhdim. Që prej atij momenti është vendosur ndërprerja e çdo lloj komunikimi me median, pavarësisht faktit se kjo është një nga çështjet më të ndjeshme. Duke injoruar tërësisht interesin publik që paraqet kjo çështje, prokuroria përpiqet të bllokojë çdo informacion, ndoshta për arsyen e vetme se hetimet për Gërdecin janë thuajse pezull. Madje, udhëheqësi i grupit hetimor, njëkohësisht dhe numri dy i organit të akuzës pak kohë më parë ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal me objekt nxjerrjen e sekretit, i cili fare thjesht mund të përkthehet si presion mbi vartësit e tij, të cilët janë të gjithë profesionistë dhe e dinë fare mirë se çfarë e dëmton procesin hetimor dhe çfarë jo.

“Fazliç”

Skandali i radhës në Shqipëri, i denoncuar nga mediat, u mirëprit nga organi i akuzës, i cili “duke rrezikuar” edhe marrëdhëniet me qeverinë vendosi të nisë një hetim për këtë çështje. Fillimisht prokuroria u tregua e gatshme të administrojë dokumente dhe të reagojë zyrtarisht për përplasjet që Damir Fazliç krijoi mes organit të akuzës nga njëra anë, dhe Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë nga ana tjetër, të cilat në mënyrë të verbër sulmuan me ç’të mundnin prokurorinë. Pas qetësimit të konflikti me ndërhyrjen edhe të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë, prokuroria vazhdoi e qetë punën, rezultatet e së cilës ende nuk po duken, ndoshta për kohën e pamjaftueshme. Por përtej çështjeve teknike, ajo që bie më shumë në sy është frika e hetuesve, të cilët kanë marrë urdhër ta klasifikojnë çështjen si tepër sekret, ndoshta edhe për arsyen se personi që po hetohet për pastrim parash e ka shprehur publikisht miqësinë e tij me kryeministrin Sali Berisha. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›