Buxhetorët detyrohen të betohen mbi Kuran që do votojnë Partinë Demokratike
Të mbledhësh vota me Kuran në dorë! Nuk është një çudi që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Shpesh kandidatët në zgjedhje i detyrojnë votuesit që të betohen mbi Kuran që do të votojnë për ta, duke shpresuar se betimi mbi librin e shenjtë do bëjë që ata të mbajnë fjalën.
Kështu ka ndodhur edhe në Kukës, ku kryetari i komunës Kalis ka mbledhur të gjithë punonjësit e komunës përpara oborrit të shkollës dhe i ka detyruar që të betohen mbi Kuran se do të votojnë për Partinë Demokratike.
Denoncimin e bën kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kukës, Qemal Elezi.
Kukësi pritet të jetë një qendër e nxehtë ditën e diel, për shkak se Ministri i Brendshëm është angazhuar fuqishëm për të ruajtur mandatin e tretë të PD në këtë qark.
Ndërkohë e majta dhe kryesisht LSI, pretendon se ky qark do të dalë dy me dy, që do ishte një goditje shumë e rëndë për mazhorancën e djathtë./ep