Financial Times: Opozita ka dyfishuar avantazhin, por manipulimet mund ta gërryejnë fitoren
Gazetarja e Financial Times, Kerin Hope, e nis punën e saj në Tiranë për këto zgjedhje me një portret për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
I ulur në një zyrë minimaliste në selinë e Partisë Socialiste në qendër të Tiranës, Edi Rama duket besimplotë në fitoren e zgjedhjeve parlamentare të ditës së diel. Qëllimi i tij është që të mundë kryeministrin Sali Berisha dhe të nisë detyrën për të drejtuar vendin e rrënuar nga korrupsioni dhe varfëria, drejt qëllimit për anëtarësimin në BE, nis shkrimi.
Hope shkruan se mënyra se si mbahen zgjedhjet në Shqipëri, gjyqësori i dobët dhe korrupsioni penguan Shqipërinë që të marrë statusin e kandidatit për në BE në tre vite radhas.
Po ashtu në shkrim theksohet se nëse zgjedhjet janë të lira, vendi mund të marrë statusin e kandidatit këtë vit.
Por Financial Times vëren se avantazhi i opozitës mund të pakësohet për shkak të parregullsive.
Koalicioni i qendrës së majtë, i quajtur Rilindja, e ka dyfishuar avantazhin gjatë fushatës me gjashtë pikë. Por një vëzhgues perëndimor paralajmëroi se ky avantazh mund të gërryhet nga parregullsitë ditën e zgjedhjeve, duke shtuar mundësinë e një tjetër rezultati të kontestuar.
Të dy partitë dyshohet se blejnë vota në zonat kyçe dhe paguajnë ryshfete tek zyrtarët e komisioneve vendore. Por ata që janë në pushtet kanë avantazhin pasi mund të kërcënojnë me shkarkim nëpunësit civilë, që nuk arrijnë të sigurojnë pamjet në celular të votës së tyre për demokratët, thotë i njëjti vëzhgues.
Manipulimi zgjedhor këtë herë është më i sofistikuar, sipas Artan Hoxhës, gazetar investigativ. Hoxha ka zbuluar ekzistencën e 25 mijë kartave të identitetit false- mjaftueshëm për të ndryshuar rezultatin në pesë zona zgjedhore. Ai thotë se këto karta identiteti janë prodhuar nga një kompani e lidhur me Ministrinë e Brendshme. Por zyrtarët e ministrisë mohojnë çdo lidhje.
Zoti Hoxha thotë: Me kaq shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, është e lehtë që të vjedhësh identitetin e një votuesi që është regjistruar, por që nuk do të jetë këtu ditën e votimit.
Duke bërë fushatë nga një autobus lejla, Rama premton një të ardhme të ndritur për banorët e fshatrave, që jetojnë me ndihmë ekonomike shtetërore që shkon nga 30 deri në 50 euro në muaj. Një numër në rritje shqiptarësh po kthehen në Shqipëri nga Greqi dhe Italia, pasi kanë humbur punët aty.
Në kontrast, Berisha udhëton në vend me një eskortë zyrtare, duke premtuar më shumë autostrada që lidhin vendin me fqinjët ballkanikë dhe sjellin investitorë të huaj për të ndërtuar projekte hidroenergjetike- edhe pse vetëm një grusht i vogël nga 80 projekte të tilla, është ndërtuar aktualisht./ep