Buzek pret thellim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pasdite është takuar në Bruksel edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, i cili tha se pret thellimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që për të gjitha shtetet e rajonin kusht i integrimeve është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët.
Gjatë një paraqitje të përbashkët për media me presidenten Jahjaga, kryetari Buzek ka inkurajuar të gjitha shtetet anëtare të BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka kujtuar në këtë rast edhe deklaratën e Parlamentit Evropian të lëshuar në korrik lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, të gjithë brenda BE-së dëshirojnë që Kosova të arrij pajtimin, stabilitetin, demokracinë dhe perspektivë, pasi që është e rëndësishme edhe për qytetarët në BE.
Buzek theksoi se pret thellimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që për të gjitha shtetet e rajonin kusht i integrimeve është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët.
“E pres që Kosova të thelloj dialogun e saj me Serbinë dhe të bashkëpunoj me EULEX-in, nëse kushtet e ngushta arrihen, Kosova mund të llogaris në mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe në arritjen e regjimit pa viza në BE. Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe e ardhmja e juaj është në duar të juaja dhe plotësisht jam i bindur se mund të jeni tregim suksesi i familjes evropiane”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër presidentja Atifete Jahjaga ka njoftuar kryetarin e Parlamentit Evropian për gjendjen e përgjithshme në Kosovë dhe për procesin e dialogut dhe rezultateve që priten të dalin në fund të dialogut.
Edhe në këtë rast, Jahjaga ka theksuar se udhërrëfyesi për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është mjaft me rëndësi.
“Kosova gjithsesi është pjesë e Evropës dhe duhet të përkas bashkësisë evropiane dhe anëtarësimi i Kosovës si anëtare e Bashkimit Evropian është e vetmja perspektivë që vështrohet nga njerëzit në Republikën e Kosovës pa marr parasysh prapavijën etnike, fetare, racore e të tjerë”, ka thënë ajo.
Presidentja ka shtuar se Kosova është shtet i qytetarëve, duke parandaluar kështu tendencën e ndarjeve etnike si dhe kërkesat e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe pretendimet e saj territoriale në veri të lumit Ibër.
“Anëtarësimi në BE i Republikës së Kosovës dhe Serbisë do të zgjidh këto kundërthënie dhe do të mundësoj të dyja shteteve të popujve që ndihmojnë njëri tjetrin, duke pasur kujdes për komunitetet e veta në dy anët”, ka përfunduar Jahjaga.
Ndryshe Presidentja e Kosovës ndodhet për një vizitë treditëshe në Bruksel, ku është pritur nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.
BE: Së shpejti do të hapet dialogu për viza
“Shpresoj se së shpejti do të arrihet hapja e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë kryetari i Këshillit evropian Herman van Rompuy, pas takimit me presidenten Jahjaga.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel, para pak çastesh është takuar me kryetarin e këshillit Evropian Herman Van Rompuy. Presidentja Jahjaga tha se e ka informuar në hollësi kryetarin e Këshillit Evropian Rompoi lidhur me zhvillimet në Kosovë me theks të veçantë për rezultatet e dialogut.
Ajo tha se e ka njoftuar atë edhe me përpjekjet e Institucioneve të Kosovës për forcimin e ligjit dhe luftimin krimit të organizuar si dhe korrupsionit. Presidentja Jahjaga tha se fakti që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk duhet të ndikojë që Kosova të mbete jashtë agjendës së integrimeve evropiane duke përfshirë këtu edhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Pavarësia e Kosovë tha ajo ka dëshmuar se Kosova është shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Tendencat dhe propozimet për ndarjen e Kosovë apo këmbim territoresh janë të papranueshme dhe antihistorike tha presidentja Jahjaga në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Këshillit të Evropës Herman van Rompuy, raporton RTK.
Nga ana tij, ky i fundit tha se të 27 vendet e Bashkimit Evropian janë të përkushtuara për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit ballkanik. “Inkurajoj residenten e Kosovës që të vazhdojë me angazhimet e mëtutjeshme për afrimin e Kosovës drejt BE-së” tha kryetari i Këshillit Evropian Rompuy. “Shpresoj se së shpejti do të arrihet hapja e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha ai.
Bashkimi Evropian i jep rëndësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kërkon edhe më shumë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këtë drejtim Kosova duhet të shfrytëzojë më shumë ndihmën e Euleksit që është urë lidhëse midis Kosovës dhe BE-së. “Po ritheksoj se të gjithë dëshirojmë të shohim Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim rezultatet e fundit janë inkurajuese. Për këtë mund të llogaritni në ndihmën e BE-së, tha Rompuy.
Ashton: Aksioni në veri nuk duhet përsëritur
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton. Në këtë rast, presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe populli i saj duhet ta kenë një rrugë të qartë për liberalizim të vizave për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Ajo shtoi se kjo e ka simbolikën, sepse Kosova është pjesë e Evropës dhe ka të ardhme evropiane dhe gjithashtu edhe se ndihma e deritashme e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ishte sukses.
Presidentja Jahjaga tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të ketë sukses dhe rezultatet tashmë po shihen dhe duhet të punohet më shumë në komunikim për shpjegimin e marrëveshjeve dhe dobitë që sjellin ato për qytetarët e të dyja vendeve.
Ajo tha se misioni i EULEX-it do të jetë i suksesshëm kur ta përmbyllë misionin dhe t’i bartë kompetencat në institucionet e Kosovës dhe kjo mund të arrihet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat e institucionet e Republikës së Kosovës.
Kurse përfaqësuesja e Lartë e BE, baronesha Catherine Ashton theksoi se është e qartë se Kosova ka të ardhme evropiane dhe kjo është rrugë normale e përcaktuar për të gjitha vendet e tjera, kriteret që duhet të përmbushen dhe që nuk janë të veçanta vetëm për Kosovën.
Ajo tha se Kosova duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë dhe bashkërendim me misionin e EULEX-it dhe të KFOR-it.
Sa i përket aksionit në veri të Kosovës, Ashton tha se janë të pakënaqur me aksionin unilateral në këtë pjesë dhe theksoi se kjo nuk duhet të përsëritet më.
Në këtë rast, Ashton e nxiti presidenten Jahjaga që të vazhdojë punën me komunitetet në Kosovë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE, baronesha Catherine Ashton tha se dialogu i filluar ka dhënë rezultate dhe duhet të vazhdojë në këtë frymë dhe të dyja vendet duhet të komunikojnë dhe të shpjegojnë të mirat e arritjes së këtyre marrëveshjeve.
Të dyja bashkëbisedueset u morën vesh që komunikimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së të jetë më i shpeshtë dhe më i rregullt, të evidentohen përparimet dhe të gjenden zgjidhjet praktike.
Jahjaga: I kemi plotësuar kushtet për liberalizim të vizave
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Bruksel, mbrëmë është takuar në një takim pune me komisionarin e BE-së për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan Fule.
Siç njofton Zyra e presidentes Jahjaga, në takim u diskutua progresi i Kosovës në procesin e integrimit evropian, si dhe u diskutua mundësia e avancimit të Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual, në përputhje me rekomandimet e mëhershme të Komisionit Evropian.
Presidentja Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve dhe në thellimin e reformave të brendshme, ndërsa shtoi se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet shtesë që janë kërkuar për hapje të dialogut për liberalizim të vizave dhe theksoi nevojën e fillimit të këtij procesi pa vonesë.
Komisionari Fule theksoi se Kosova duhet të intensifikojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave për integrim në BE. Ai gjithashtu e paralajmëroi vizitën e misionit vlerësues të Komisionit Evropian për të parë zbatimin e obligimeve të Kosovës për hapjen e dialogut për liberalizim të vizave.