E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjithçka gati për festivalin e rrushit

Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 20:00

Komuna e Rahovecit ka bërë përgatitjet e nevojshme për festën tradicionale të rrushit, verës, ushqimit dhe të kulturës. Në këtë kuadër sot ka nisur edhe fushata për pastrimin e hapësirave publike në disa qendra të komunës, si në qytet, mandej Xerxë, Krushë e Madhe, Hoçë e Madhe dhe Zatriq.

Këtë aksion e drejton kompania “Rrota” nga Prishtina, me mbështetjen e USAID-it dhe komunës së Rahovecit.

Zyrtarët e komunës thonë se tashmë janë bërë edhe përgatitjet tjera që kanë të bëjnë me këtë ngjarje të rëndësishme për komunën e Rahovecit, si rajon bujqësor.

Festivali tradicional i rrushit, verës, ushqimit dhe i kulturës është një mundësi më shumë për vreshtarët dhe bujqit e vyeshëm të kësaj komune, prandaj pritet që pjesëmarrja të jetë sa më masive.

“Presim që në këtë aktivitet të rëndësishëm të ndihmojnë edhe qytetarët e komunës së Rahovecit, shoqëria civile dhe grupet e ndryshme të interesit. Organet komunale po bëjnë përpjekje maksimale që kjo festë të ketë rrjedhë normale, ndërsa mysafirët t’i presim ashtu siç e kanë traditë banorët e kësaj ane. Në këtë mënyrë do të hapen më shumë rrugë dhe perspektiva për bujqit, të cilët po përballen me vështirësi serioze në tregtimin e prodhimeve të tyre cilësore”, thonë autoritetet komunale.

Zyrtarët komunal shfaqin shpresën që në të ardhmen komuna e Rahovecit të jetë prijëse në turizmin e verërave dhe të jetë një destinacion i rëndësishëm i turizmit kulturor në përgjithësi. Festivali i rrushit, verës, ushqimit dhe i kulturës do të zgjasë nga 7 deri më 9 shtator.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›