E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buzhala LDK’së: Folni për arrestimin e Sami Hamitit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhala, ne seancën e sotshme të Parlamentit të Kosovës, ka kërkuar nga Lidhja Demokratike që të deklarohet rreth arrestimit të zyrtarit të saj dhe të Komunës së Prishtinës, Sami Hamitit.

LDK, ashtu sikurse Komuna e Prishtinës, nuk janë deklaruar ende rreth arrestimit të Hamitit me pretekstin se nuk kanë njoftim zyrtar.

“Arrestimi i kryesuesit të Asamblesë së Prishtinës, z. Sami Hamiti dhe mungesa e reagimit nga LDK ka shkaktuar shqetësim të jashtëzakonshëm tek qytetarët. Njerëzit janë në huti për lejet që i kanë marrë, banesat që i kanë fituar dhe a është kjo gjithmonë e lidhur me krimin e organizuar dhe a do të vazhdohen ato leje”, ka thënë Buzhala, duke nxitur reagimin e deputetëve të LDK’së.

“Keni rastin, mundeni me fol”, u është drejtuar ai atyre.

Më pas, Buzhala ka ripërsëritur deklaratat e tij se shoqatat e naftëtarëve janë organizata kriminale që po pasurohen në kurriz të qytetarëve, duke përcaktuar çmimet e karburanteve.

Pas Berat Buzhalës, fjalën e ka marrë Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri. Ai e ka këshilluar Buzhalën “që t’i këqyr punët e veta”, duke shtuar se LDK do të deklarohet “me kohë” për arrestimin e zyrtarit të saj, Sami Hamitit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›