Po punohet për liberalizimin e vizave

Në konferencën që u diskutua për procesin e Liberalizimit të Vizave, pos deputeteve të Rinj të Kuvendit të Kosovës pjesëmarrës në panel ishin edhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës si dhe ambasadorët e shtetit të Francës dhe Gjermanisë.
Me këtë rast, gjatë fjalimit të tij, ambasadori Gjerman ne Kosovës, Ernst Reichel, u bëri me dije institucioneve vendore se për të ardhur deri te liberalizimi i vizave, Qeveria e Kosovës, së bashku me qeveritë lokale, duhet të punoj shumë, që ky proces të vijë më shpejt. Ndërkohë, ai u shpreh se drita në fund të tunelit, ka filluar të zmadhohet.
“Duhet të bëhen disa parakushte që ata që synojnë azil të mos të keqpërdorin liberalizimin, apo ata emigrant jo ligjor që ekzistojnë atje të riintegrohen në Kosovë, apo dokumentet e identitetit nuk mund të blihen apo të falsifikohen dhe këto janë çështjet të cilat diskutohen nga BE-ja me Qeverinë e Kosovës. Sa më shpejt Qeveria, parlamenti dhe komunat do t’i plotësoj kriteret e BE-së atëherë vendimi do të merret për liberalizim”, ka thënë Reichel.
Nga ana tjetër, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, vlerësoi se Qeveria e Kosovës, por edhe ministria që drejton ajo, janë duke punuar intensivisht në përmbushjen e kritereve të parashtruara nga BE-ja, për liberalizimin e vizave. Ajo konsideron se Kosova është ngarkuar me tepër, me numrin e kritereve se sa disa vendet të tjera.
“Ne si institucione po bëjmë shumë që të gjitha kriteret që janë parashtruar në udhërrëfyes t’i përmbushim në një afat rekord. Unë dua t’ju siguroj se ka një konsensus të plotë politik. Nuk ka asnjë subjekt politik në Kosovë, i cili i ka parashtruar pengës Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane në tërësi dhe liberalizimit të vizave në veçanti. Unë kam pasur kënaqësinë që gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij vitit të punoj shumë ngushtë me të gjithë kryetarët e komunave, të cilët kanë bërë një punë kolosale në përmbushjen e një prej kritereve më sfiduese që e kemi pasur ne në rrugën e Liberalizimit, atë të riatdhesimit të personave të riatdhesuar”, ka thënë Çitaku.
Ndërkaq, Ganimete Musliu, udhëheqëse e Grupit të Deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se të rinjtë e Kosovës kanë potencial të kontribuojnë fuqishëm në proceset integruese nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Unë mund të them se takimet e të rinjve të partive politike, kanë potencial që të kontribuojnë shumë në proceset e Kosovës, dhe unë mendoj se strukturat organizative që kanë partitë politike, rëndësinë që kanë organizatat studentore mund të kontribuojnë fuqishëm në integrimin Kosovës në proceset evropiane dhe, gjithashtu, mund të ndikojnë fuqishëm edhe në plotësimin e standardeve në liberalizimin e vizave”, ka thënë Musliu.
Kurse, Robert Benjamin, drejtor regjional për programet në Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Kombëtar Demokratik , ka pohuar se Instituti që drejton ai, ka punuar me një pasion dhe një punë të pa lodhshme me kolegët nga Kosova, për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Instituti Kombëtar Demokratik është një organizatë që përkrahë reformën demokratike në tërë botën dhe IND, ka punuar në Kosovë që nga viti 1999 dhe ka qene një nder për IND dhe kolegët e mi për të punuar me ju për interesat e juaja dhe qëllimet e juaja të shtet të juaj. IND është bashkuar në këtë proces me një punë, dhe me një pasion të vërtet”, ka thënë Benjamin.
Ndryshe, gjatë muajt maj të këtij viti, Komisioni Evropian kishte miratuar vendimin që Kosovës edhe zyrtarisht t’i ofrohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, që përmbante 95 kritere që shteti i Kosovës duhet përmbushur nëse dëshiron liberalizim të vizave. Ndërsa më 1 shtator Kosova i dorëzoi Komisionit Evropian një raport për të arriturat në këtë proces dhe punën që është duke u bërë në këtë drejtim nga shteti i Kosovës. /kosovapress/