Hoxhaj: Sfida e radhës - BE-ja

Në këtë intervistë të realizuar nga gazetari dhe njohësi i Ballkanit, Erich Rathfelder, Hoxhaj ka deklaruar se mbyllja e zyrës së ICO-së është një njohje për të arriturat e Kosovës, për transformimin dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.
“Kosova si shtet i pavarur në pesë vjetët e fundit është njohur dhe përkrahur nga shtetet më të zhvilluara dhe demokratike. Miqtë tanë janë demokracitë më të zhvilluara në botë, në mesin e tyre edhe 22 shtetet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Japonia etj. Në kemi arritur shumë në krahasim me shtetet tjera të Evropës Juglindore që janë ende në tranzicion”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Ai po ashtu ka theksuar se Kosova ka arritur të ndërtojë institucione shtetërore nga themelet.
“Kemi krijuar parakushte për zhvillim ekonomik, kemi reformuar sistemin e arsimit, kemi krijuar bazën për sistemin social. Ne kemi krijuar policinë dhe forcat tjera të sigurisë sipas standardeve ndërkombëtare. Tani përfundojmë këtë kapitull dhe hapim një tjetër. Tani të gjithë fokusin e kemi në procesin e integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Hoxhaj për “Tageszeitung”.
Lidhur me zhvillimet në veri të vendit, ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se Brukseli ka mjaft instrumente për të ushtruar presion mbi Serbinë, në mënyrë që ajo t‘i largojë nga Kosova strukturat ilegale, policore dhe paramilitare.
“Kjo është bërë e qartë edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Serbinë. Serbia duhet ta ketë të qartë që nuk mund të lëvizë drejt Bashkimit Evropian pa e njohur realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane. Por, në këtë drejtim ka një përparim. Në dialogun teknik Serbia është pajtuar për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve. Ky është një hap shumë pozitiv dhe mund të shihet si një lëvizje drejt njohjes së Kosovës”, tha Hoxhaj.