By pass-i i Fierit, Berisha fton PS-në: Ta votojmë unanimisht

Kryeministri Berisha ka kërkuar sot votën e opozitës për projektin e By Pass-it të Fierit ndërsa e ka akuzuar sërish atë se është bërë pengesë për ndërtimin e shumë rrugëve në vend.
Duke folur në Kuvend, shefi i qeverisë theksoi se vota pro e opozitës do të cilësohet si një xhest pendese për kundërshtimin që kjo e fundit i ka bërë ndërtimit të By Pass-it të Fierit. Sipas tij opozita votoi kundër shtesave të rrugëve sepse kërkon të përfitojë vota.
“Thirrja ime është ta votojmë unanimisht sepse rrugët po ndërtohen dhe janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë në të cilat udhëtojnë qytetarët shqiptarë lloj si qytetarët e vendeve të tjera të zhvilluara. Në të gjitha këto km ka qënë vota kundër e opozitës por ajo që më ka çuditur ishte vota juaj kundër tunelit të Elbasanit, vota juaj kundër autostradës Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë dhe shtetave për to. E vërteta është se ju votuat kundër shtesave sepse për ju qytetarët e Vlorës, Fierit, Tepelenës duhet të vinin gropë pas grope në Tiranë sepse ato i imagjinonit se do të kthehen në vota. Vota juaj unanime do të ishte një xhest pendese. Jepni një votë unanime sot për by pasin e Fierit. Infrastruktura bëhet për të gjithë. Ne po inagurojmë çdo ditë shkolla vetëm komunarët socialiste dhe deputetët socialistë nuk vijnë në këto inagurime. Pse mbani qëndrim klasor ndaj inagurimeve? Pse nuk bëheni pjesë e këtyre sukseseve” iu drejtua kryministri deputetëve socialistë.
Gjithashtu kryeministri Berisha ndërsa e cilësoi ndërtimin e By Pass-it të Fierit si një nyje jetike që do të bëjë lidhjen e Shqipërisë qëndrore me atë jugore nëpërmjet autostradave Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë informoi edhe për modifikimin e projektit. "Projekti i parë u modifikua për shkak të studimeve që vërtetuan se gjendeshin rrënojat e Apollonisë. Në projektin e dytë është shmangur çdo lloj implikacioni me gjetjet arkiologjike të këtij qyteti” shtoi Berisha.
Ndërkohë më herët në diskutimet e tyre deputetët e Partisë Socialiste akuzuan ministrinë e Transporteve se kostoja e rrugës po vazhdon të rritet me miliona euro, për mungesën e shpronësimeve, cilësinë e dobët të autostradës etj.
Ndërkaq, ministri Olladshi dha disa të dhëna për rrugën, sipas tij, për të mos lejuar spekulimin nga ana e socialistëve. “Janë 22 km rrugë me dy korsi kalimi për çdo anë, me tre ura, me katër kryqëzime në disnivel dhe rreth 16 nënkalime për të siguruar bujqit, bagëtinë etj.”- tha Olldashi.
Sipas tij të gjitha spekulimet që hidhen janë përralla, dhe nuk është mirë të thuhen pa filluar ende rruga. Olldashi ftoi PS-në që të thoshte të vërtetën dhe të mos gënjente lidhur me rrugën, pasi së shpejti janë zgjedhjet, dhe qytetarët nuk do ua falin gënjeshtrat.
Bypass- i Fierit është një projekt që lidh dy autostradat e ndërtuara gjatë viteve të fundit, autostradën Lushnje-Fier dhe Levan-Vlorë, si dhe aksin jugor Levan-Tepelenë. Punimet për këtë projekt do të zgjasin 24 muaj.