Tiranë, zhvillohet konferenca “Gratë të çliruara nga dhuna”

Në kuadër të Presidencës së Shqipërisë të Këshillit të Evropës, është zhvilluar sot në Tiranë takimi i Komisionit të Mosdiskriminimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Rrjetit ndërparlamentar me temë “Gratë të çliruara nga dhuna”.
Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka theksuar motoja e presidencës shqiptare të KiE-së “ Të bashkuar në diversitet” ka për qëllim promovimin e vlerave të përbashkëta europiane.
“Çdo qënie njerëzore ka të drejtën e barazisë. Ne duhet të jemi të barabartë pavarësisht se cfarë gjinie i përkasim. Çdo qënie duhet të trajtohet me dinjitet. Ne jetojmë në një shoqëri të hapur, në një shoqëri që beson në një sistem vlerash dhe ka si vlerë që të bëhet të bëhet anëtare e Bashkimit Europian” tha Topalli.
Gjithashtu Topalli ka theksuar se një nga vlerat e trashëgëmisë shqiptare është edhe harmonia fetare ndërsa ka shtuar se figura më e ndritur shqiptare në mbrojtje të të drejtave të njeriut është Nënë Tereza.
“Ne trashëgojmë një harmoni fetare. Ne besojmë që respekti për kulturën tonë na bën të kuptojmë kulturën e tjetrit. Ne shqiptarët jemi kranar në këtë 100-vjetor sepse me gjak shqiptari kemi Nënë Terezën dhe kjo është figura më e madhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo është identiteti jonë si shqiptare” shtoi Topalli.
Ndërkohë takimi i Komisionit të Mosdiskriminimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Rrjetit ndërparlamentar me temë "Gratë të çliruara nga dhuna" do të zgjasë dy ditë dhe do të drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli dhe Znj. Tina Anketoft, Kryetare e Komisionit për barazinë dhe Mosdiskriminimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Temat kryesore në panelet e diskutimeve janë: roli thelbësor i parlamenteve në luftën kundër dhunës ndaj gruas, barazisë gjinore, antidiskriminit, mbrojtjes së minoriteteve, politikat dhe zbatimi i strategjive shtetërore në këto drejtime.
Në këtë event dyditor marrin pjesë, deputete të Shqipërisë dhe nga vende të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Parlamentit Evropian, raporterë të KE , nga Belgjika, Spanja, Rumania, Britania e Madhe, Azerbajxhani, Italia, Norvegjia etj, përfaqësues nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe antidiskriminimit, Eulex në Kosovë dhe shoqërisë civile.