Byhler: Njerëzit në veri, të lodhur nga elementet radikale

Komandanti i KFOR-it Erhard Byhler, ka informuar sot sekretarin e shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, parlamentarin Kristian Shmidt, mbi situatën aktuale në Kosovë dhe misionin e KFOR-it.
Shmidt ka qenë i shoqëruar nga ministri i Brendshëm i landit gjerman të Bavarisë dhe disa anëtarë të parlamentit bavarian.
Gjatë këtij takimi, gjenerali Byhler ka folur për situatën aktuale të sigurisë dhe atë politike në Kosovë.
Byhler citohet të ketë thënë se “KFOR-i është i përkushtuar të vazhdojë prezencën e tij në veri për t`i mbrojtur njerëzit dhe për t`i stabilizuar kushtet e jetesës për qytetarët të cilët janë të lodhur me kërcënimet nga elementet kriminale dhe radikale”.
Gjenerali Erhard Byhler ka informuar sekretarin e shtetit, mbi detyrat dhe operacionet aktuale të KFOR-it dhe përkushtimin e trupave gjermane në Kosovë.