Byhler priti ambasadorët e kombeve kontribuuese me trupa
KFOR-i është i përgatitur të ballafaqohet me situata përkundër strukturës së re që është vendosur nga 1 marsi, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Erhard Byhler, gjatë një takimi informues të mërkurën me ambasadorët e kombeve që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.
Qëllimi i konferencës, e cila është mbajtur në selinë e KFOR-it në Prishtinë, ishte informimi mbi gjendjen i përfaqësuesve të lartë të shteteve të cilat janë të përkushtuara në misionin e KFOR-it në Kosovë.
I pari i KFOR-it e vlerësoi situatën e përgjithshme në Kosovë si stabile, me përjashtim të veriut ku ende ekziston një potencial për dhunë dhe krim të shkaktuar nga disa radikalë dhe kriminelë.
Ai theksoi se KFOR-i ka vazhduar me mbajtjen e gatishmërisë së lartë, fleksibilitetin, dhe strukturën mobile operacionale të bazuar në dy grupe luftuese shumëkombëshe të cilat mund të dislokohen nëpër mbarë Kosovën.
Buhler vlerësoi raportet e mira me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës.
“KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë dhe qetësinë, lirinë e lëvizjes dhe në këtë mënyrë të sigurojë stabilitet social, ekonomik dhe politik në Kosovë sipas kornizës së mandatit të vet”, ka thënë ai, duke shtuar se KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë ngritjen e FSK-së në mënyrë që kjo organizatë të arrijë aftësinë e plotë operacionale në vitin 2012.
Nga ana e tyre, ambasadorët ishin shumë të interesuar për të ardhmen e KFOR-it. Me këtë rast, gjeneral major Byhler theksoi se vendimet e ardhshme për numrin e trupave dhe strukturën e KFOR-it duhet ta kenë parasysh situatën e sigurisë në Kosovë.