E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat e Ngjyrosur të motrave Zenelaj

Dy motrat shqiptare, Greta dhe Vilma Zenelaj, arrijnë të depërtojnë në Hollywood. Nga Express më 09 mars 2011 në ora 16:00

Greta dhe Vilma Zenelaj janë dy shqiptaro-amerikane që tashmë kanë filluar karrierën e tyre në fushën e filmit, në Hollywood. Ato, madje, kanë themeluar edhe kompaninë e tyre filmike, Colored Films.

Deri më tan dy motrat i kanë përfunduar me sukses dy filma të metrazhit të gjatë, komedinë “What do I do now?” (Çfarë të Bëj Tani?) dhe “In the Woods” (Në Pyll). Premiera e këtij të fundit do të shfaqet më 19 mars, në Ontario, të Kandasë.

“In the Woods” është filmi i fundit i motrave Zenelaj. Skenari për këtë film të pavarur, dhe me buxhet të kufizuar, është shkruar nga vetë Vilma, e cila është edhe regjisore e filmit. Ndërkaq, rolin kryesor në film e luan motra e saj, Greta.

Filmi “In the Woods” sapo është pranuar për të marrë pjesë edhe në Female Eye Festival, që mbahet në muajin mars në Toronto, por edhe në New York Film Festival, i cili do mbahet në fillim të prillit, ka sqaruar Vilma për ‘Zërin e Amerikës’.

Ndryshe, Vilma dhe Greta Zenelaj në Shtetet e Bashkuara erdhën në vitin 2003, kur edhe u vendosën në Los Angeles. Ëndrra e tyre e përbashkët ishte që të ndërtonin karrierë në njërën prej fushave të artit dramatik me më së shumti konkurrencë, në kinematografi.
“E fillova karrierën time ime disa pjesë teatrale, këtu në Los Angeles. Aty ishin prezantimet e mia të para. Pastaj, mora pjesë në dy reklama dhe në disa filma studentësh. Filmi im i parë i metrazhit të gjatë ishte filmi horror ‘Day of the Dead’, apo ‘Dita e të Vdekurve’. Pastaj, filmi im i dytë, ndonëse i pari që e bëmë si kompani, ishte komedia ‘Çfarë të Bëj Tani’, ndërsa filmi i fundit titullohet ‘Në Pyll’”, sqaroi Vilma për ‘Zërin e Amerikës’.

Në shtator të vitit 2008, Greta dhe Vilma Zenelaj themeluan kompaninë e tyre të përbashkët filmike Colored Films, që ishte një hap mjaft i guximshëm dhe ambicioz në një vend që vlerësohet si origjinë e filmave më të mirë në botë. Kjo njëkohësisht është kompania e parë kinematografike shqiptare në Hollywood.

“Ideja për krijimin e kompanisë Colored Film na erdhi për shkakun se mund të ketë shumë rrugë që mund të ndiqen për pasionin që ke. Ne pamë shumë miq që ishin aktorë, por edhe merreshin me prodhimin e filmave. Prandaj, menduam se duke qenë dy veta, mund ta krijonim lehtësisht kompaninë tonë”, tregojnë tutje motrat.

Projekti i parë i Colored Films ishte filmi “Çfarë të Bëj Tani”, i cili fitoi çmimin e komedisë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave të Pavarur në New York, në vitin 2009.

Tani, Greta dhe Vilma po punojnë në projektin e tyre të tretë, i cili do të ketë një temë që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me jetën e tyre personale, dhe me përjetimet që i patën gjatë imigrimit nga Shqipëria në Amerikë.

“Kjo ka të bëjë me një histori shqiptare dhe amerikane që nuk është treguar ndonjëherë. Kemi shumë besim tek potenciali i këtij projekti. Pjesa e parë e filmit, rreth 20 minuta të tij, do të jetë në Shqipëri, ndërkaq pjesa tjetër do të xhirohet në shtetin Michigan”, tregon Vilma.
“Mund të themi që filmi është bazuar në një histori të vërtetë, sepse shumicën e këtyre ngjarjeve, në një mënyrë apo një tjetër, i kemi përjetuar vetë. E, ngjarjet zhvillohen në vitet e 90’a në Shqipëri, pra tamam në atë kohë kur edhe filluan këto probleme”, përfundon ajo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›