Cana, ende beqar
Lokali i preferuar “Maranta Gusto” është lokali i preferuar i futbollistit Lorik Cana, gjatë qëndrimit të tij në Turqi, tek ekipi i Galatasarayt. Kjo sepse pronari i lokalit ka prejardhje shqiptare.
Ndërkaq, kur hipni në makinën e Lorikut, aty do ta gjeni videotekën e Xenit dhe atëherë kuptoni se ai nuk e ka harruar qytetin e tij, Gjakovën. Në makinën e tij mund të dëgjoni këngëtarin e tij të preferuar Xenin, ndërkaq kohën e lirë e kalon duke luajtur ping-pong.
“Luaj ping-ping për shkak së dëshiroj ta mund djalin e axhës tim, sepse ai luan ping-pong dhe gjithmonë kur shkoi në Gjakovë, e mundi dhe për këtë i vjen shumë inat”, ka thënë Cana në një intervistë për emisionin e Klan Kosovës, Prive. Pas kësaj, ekipi i këtij emisioni ka shkuar në kampin e stërvitjeve të ekipit të Galatasarayt. Cana mandej tregon për këtë pjesë dhe mënyrat dhe dhomat e ndryshme të qendrës stërvitore të ekipit. “Jam adaptuar shumë mirë, sepse njerëzit më kanë pritur shumë mirë. Është një klub i madh, i cili menaxhohet prej njerëzve të ndryshëm”.
Cana thotë se shumë njerëz nuk e kanë pritur kalimin e tij nga Premier Liga në Turqi, por një ndër arsyet pse ai ka kaluar, sipas tij, është ekipi me të cilin ai ka ëndërruar që të luajë qëkurse ka qenë më i ri. “E kam dashur këtë klub, aq më tepër kur kam marrë vesh se atë e ka themeluar djali i Sami Frashërit. Pra, kam dashur që të luaj këtu, sepse ky është një klub që ka një famë të madhe botërore”, ka thënë tutje Cana për këtë emision.
Ndërkaq, për suksesin e tij, Cana ka thënë se duhet pasur talent, ndërkaq edhe gjërat e tjera nuk duhet të mungojnë, siç është “vullneti, kushtet dhe mbështetja”, që ai e ka pasur nga familja e tij. “Kam pasur edhe fatin që kam pasur edhe një mbështetje, sidomos nga babi im, i cili edhe ka qenë njëri prej futbollistëve që ka qenë i njohur në ish – Jugosllavi. Pra, unë jam rritur me këtë ide, pra të jem futbollist”.
Sa u përket femrave, Cana ka thënë se ai pavarësisht se ka jetuar në Francë, ka një afinitet më të madh për femrat e lindjes, ku ka thënë se shumica e meshkujve janë dakord me mendimet e tij se ato janë më të bukura se femrat e Perëndimit.
“Kurse njeriu që do të kalojë jetën me mu, këtë e kam thënë edhe më parë dhe e them edhe tani, kam dëshirë që të jetë shqiptare. Por, për shkak të kohës jo të madhe që e kaloj në Kosovë dhe në Shqipëri, ende nuk është realizuar kjo punë, edhe pse shpresoj që të ndodhë”.
Ndërkaq, në jetën private thotë se nuk është i ashpër qysh është në fushë dhe në përgjithësi është një njeri i thjeshtë.
Loriku ka folur edhe për thashethemet në lidhje me këngëtarë dhe modele të ndryshme në Kosovë. Ai ka thënë se që tetë vjet është mësuar me këto thashetheme. “Ka tetë vjet, qëkurse jam bërë fytyrë publike, që disa media kanë tentuar që të me lidhin në lidhje me femra të ndryshme. Kjo është qesharake, sepse po botojnë gjëra që nuk janë të vërteta. Në momentin kur unë do të jem me dikë, atëherë në atë moment unë do të flas për këtë gjë”.
Cana ka folur se gjatë karrierës së tij ende nuk ka vendosur se me çfarë profesioni do të merret, edhe pse ndoshta do të vazhdojë profesionin e tij si sportist.
Lorik Cana është njëri prej lojtarëve kosovarë që luan për Kombëtaren e Shqipërisë. Në karrierën e tij ai ka luajtur me disa ekipe të njohura në Francë. Para këtij sezoni, luajti me ekipin e Sunderlandit në Premierligë, ndërkaq ka kaluar në Galatasaray.
Ai ka qenë i përfolur në media për lidhje të ndryshme, si me ish-Miss Universe Kosova, Zana Krasniqi dhe tani me këngëtaren nga Shkupi, Adelina Tahiri. Kjo e fundit ka thënë kohëve të fundit se është shoqëruar me Lorikun, por kjo nuk do të thotë se ata janë në lidhje.