Byhler takohen shefin e ushtrisë serbe, Miletiq

Trupat ndërkombëtare në Kosovë kanë njoftuar se gjenerali i KFOR-it, Erhard Byler, është takuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Miloje Miletiq.
Takimi, siç njofton deklarata e KFOR-it, është zhvilluar në Kopaonik, ndërsa ai është në kuadër të kontakteve të rregullta që ka KFOR-i me ushtrinë e Serbisë.
Sipas KFOR-it, “qëllimi kryesor i këtyre takimeve është të bëhet monitorimi, ndërlidhja dhe mënjanimi i konfliktit, në kuadër të përmbushjes së kërkesave të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake, e cila përfshin shkëmbimin e informatave lidhur me forcat e sigurisë në të dyja anët e Vijës Kufitare Administrative, ushtrimet dhe operacionet e tyre ose çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Vijën Kufitare Administrative”.
Deklarata e KFOR-it shkon më tej duke thënë se gjatë takimit, bashkëpunimi në mes forcave ndërkombëtare dhe ushtrisë së Serbisë, është vlerësuar si “shumë i mirë dhe tejet profesional, i bazuar në respekt të ndërsjellë”.
“Gjenerali Miletic dhe Gjenerali Bühler u pajtuan që të vazhdojnë dhe të zhvillojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy palëve dhe të rrisin komunikimin mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë në nivel të duhur”, thuhet në fund të deklarates së KFOR-it.