Bylis ngjitet zyrtarisht në Superiore
Bylis rikthehet zyrtarisht në elitë, pas një viti “stazh” në Kategorinë e Parë. Ballshiotët kanë bërë detyrën përballë Lushnjës, duke fituar me rezultatin 2-1: me këto tri pikë, skuadra e drejtuar nga Ilir Spahiu festoi matematikisht titullin kampion, kur kanë mbetur edhe tri javë nga mbyllja e kampionatit dhe për rrjedhojë ngjitjen në Superiore. Por, ajo që duhet vlerësuar më shumë se gjithçka është “fair play” i treguar nga të kuqtë, që me fitoren e djeshme konfirmuan se nuk kanë ndërmend të bëjnë kompromise me skuadrat e tjera që luftojnë për ngjitjen mes më të mirëve. Edhe pse presidenti Besnik Kapllanaj kishte dhënë siguri se Bylisi do të luante në mënyrë të ndershme, nuk munguan “gojët e liga”, të cilat flisnin për një barazim të fiksuar përpara se ekipet të zbrisnin në fushë. Këto spekulime (të pabaza) lidheshin kryesisht me faktin se të kuqve u mjaftonte vetëm një pikë për t’u shpallur kampionë, ndërsa barazimi në stadiumin “Adush Muça” do të kënaqte edhe Lushnjën. Gjithsesi, ka ndodhur e kundërta: ballshiotët treguan që në fillim se nuk do të bëhen faktor në garën e skuadrave të tjera. Ata shënuan dy herë me kapitenin Dimo, ndërsa miqtë shkurtuan shifrat me kapitenin çela në të 61-tën, por nuk arritën të gjenin golin e barazimit në 30 minutat e mbetura të takimit. Tashmë mbetet për t’u parë sjellja e Bylisit në takimet e mbetura të sezonit, ku në mënyrë të paevitueshme ata mund të vendosin fatet e ekipeve që do të fitojnë të drejtën për të luajtur në Superiore. Kjo sepse në javën e 28-të, të besuarit e Spahiut do të luajnë në fushën e Kamzës, ndërsa në javën e fundit të kampionatit ata presin në shtëpi Elbasanin.
Java e 27-të ka bërë që lufta për vendin e dytë (ngjitje direkte në elitë) dhe pozicionet 3 e 4 në klasifikim (zona “play-out”) të bëhet edhe më e ashpër. Humbja i ka kushtuar shtrenjtë Lushnjës, që tashmë zbret në vendin e katërt. E treta renditet Kamza: falë fitores 3-0 në fushën e Sopotit, kryeqytetasit janë fare pranë realizimit të ëndrrës për të luajtur në Superiore. Madje, skuadra e drejtuar nga Perlat Musta mund të pretendojë edhe vendin e dytë, duke qenë se tashmë është me pikë të barabarta me Elbasanin. Verdheblutë bënë një gjysmë hapi fals në fushën e Skraparit, duke mos marrë me tepër se barazimi 0-0. Në këtë rezultat ka ndikuar edhe dalja me karton të kuq e portierit, Mançevski, në minutën e 40-të të takimit. Partizani bën detyrën përballë Memaliajt dhe fiton me rezultatin 2-0. Të kuqtë mund të vazhdojnë të ëndërrojnë për t’u kthyer mes më të mirëve, duke shpresuar se në javët në vazhdim, rivalët e tyre do të vazhdojnë të bëjnë gabime.
#