Fabian Duro, konkurrim në sytë e Ueah dhe Davids
Pas rreth 72 orësh në Kejp Taun të Afrikës së Jugut, sportistët më të mirë të “Freestyle” (sporti i kontrollit të topit me kreativitet në ajër në kombinim me muzikën) do të konkurrojnë në botërorin “Red Bull Street Style 2010”. Mes 60 sportistëve pjesëmarrës, aty do të garojë edhe kampioni i parë i Shqipërisë, Fabian Duro. 21-vjeçari ishte fituesi i aktivitetit që u zhvillua në Tiranë me konkurrentë nga Shqipëria dhe Kosova. Xhonglimet e Duros, ashtu sikurse edhe të gjithë sportistëve të tjerë, do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga figura të shquara të futbollit ndërkombëtar. Ata janë Xhorxh Ueah, ish-sulmuesi i Milanit që në vitin 1995 u shpall “Lojtari më i Mirë në Europë”, “Lojtari më i Mirë Afrikan” dhe “Lojtari më i Mirë në Botë”, Edgar Davids, ish-mesfushori i Ajaksit, Barcelonës, Interit, Milanit dhe Juventusit, si edhe Kris Njokuana, afrikanojugori që është një prej “freestyle”-ve më të mirë në botë.
#