E Diel, 1 Nëntor 2026

Hedh poshtë akuzat se Berisha ka përçarë minoritetin

Gjirokastër Ksera: “‘Omonia’ është organizata e të gjithëve, nuk ndihem i përjashtuar”

Pas ndryshimeve statutore të “Omonia”-s ka reaguar deputeti i PD-së, njëkohësisht ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Në një prononcim për mediat nga Gjirokastra ai është shprehur kundër përpjekjeve për ndryshimin e statutit të “Omonia”-s, duke e quajtur atë një organizatë thjesht në duart e një lidershipi, larg misionit për të cilin u themelua dhe kurrsesi një organizatë të pozicionuar në mbrojtje të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Ksera u shpreh se, ai dhe disa prej personaliteteve me kontribut që nga themelimi i kësaj organizate, nuk ndihen të përjashtuar nga radhët e “Omonia”-s, vetëm pse nuk u ftuan të merrnin pjesë për të shprehur mendimin ndryshe në këtë asamble. “Kurrsesi nuk ndihemi të përjashtuar vetëm sepse krejt pa të drejtë dhe duke shkelur me të dy këmbët statutin në fuqi të organizatës, disa njerëz që kanë marrë peng ‘Omonia’-n nuk ftuan disa prej personaliteteve të minoritetit grek me kontribut që nga themelimi i kësaj organizate, për të marrë pjesë në mbledhjen e asamblesë ku pretendohet të bëhen ndryshime të statutit dhe kushedi se çfarë manipulimesh të tjera. Kam qenë, jam dhe do të jem anëtar i ‘Omonia’-s dhe askush nuk mund të më privojë nga kjo e drejtë”, theksoi Ksera. Më tej, ai deklaroi se problemi i “Omonia”-s nuk është statuti, por: “lidershipi aktual që e ka uzurpuar dhe po e përdor atë për qëllimet e veta politike. “‘Omonia’-n e ka mbërthyer ngërçi qysh pas zgjedhjeve të 28 qershorit”, tha Ksera në Gjirokastër, pothuajse në të njëjtën orë kur në Sarandë filluan punimet e asamblesë së kësaj organizate. Duke u ndalur tek akuzat e disa prej drejtuesve aktualë të PBDNJ-së dhe “Omonia”-s për Kryeministrin Berisha si përçarës i minoritetit grek në Shqipëri, Ksera tha: “Ish-aleatët e Berishës, tani në aleancë me të majtët e dinë mirë se Kryeministri Berisha jo vetëm që nuk është përçarës, por përkundrazi i ka respektuar dhe i respekton realisht të gjithë faktorët politikë dhe strukturat e qeverisjes vendore të minoritetit grek”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›