Bylykbashi: Kandidatët për bashkitë me primare, i dhamë fund autokracisë së kryetarit

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social FB, bëri të ditur se Këshilli Kombëtar, sanksionoi përfundimisht, për herë të parë në politikën shqiptare, përzgjedhjen e kandidatëve për në parlament dhe bashki nëpërmjet votimit në primare.
Sipas tij, me atë akt, PD i dha fund autokracisë së kryetarit dhe fuqizoi demokracinë e anëtarit.
“Sot Këshilli Kombëtar mori vendimin tjetër historik statutor duke e hapur votimin në primare edhe tek simpatizantët e Partisë Demokratike. Tek ata qytetarë që mbështesin Partinë demokratike me zemër dhe me votë në këto 31 vite, edhe pa patur teserën e anëtarit. Në 31 vite, ky është një nga hapat më të mëdhenj e të guximshëm, që reformon politikën. Sot fuqizohet jo vetëm anëtari por edhe qytetari.”- shkruan Bylykbashi.
Sipas tij, nga një anë qëndron autokracia e Ramës, që kandidatët i emëron dhe të tijët nuk ndjehen, nga ana tjetër qëndron PD që i hapet me kurajo qytetarëve për të përmbysur Ramën dhe regjimin e tij e për të sjellë ndryshimin.
“Kori i gërr-mërrsave sot duhet të heshtë përpara këtij hapi guximtar demokracie”,- mbyll postimin deputeti i PD.
/rtsh.al/