E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrëzimi i komisioneve hetimore, Berisha: Përgjigjja do të jetë zëri dhe energjia e qytetarëve

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas rrëzimit nga Kuvendi të kërkesave të opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se opozita në përputhje me Kushtetutën, kërkoi të ushtrojë të drejtën e komisioneve hetimore.

“Misioni kryesor i opozitës është kontrolli. Kaq ka opozita. Kontrollin e ka mision kryesor. Ajo opozitë që nuk bën kontroll, nuk është opozitë por është pseudo-opozitë. Është letër kot. Në qoftë se nuk kontrollon dot sistemin, çfarë bën aty?!”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se “tani është momenti historik t’i dalim zot qytetarëve shqiptarë dhe vullnetit të tyre të dhunuar”.

“Ne nisim një proces, i cili duhet të shënojë fjalën e qytetarëve, zërin e tyre të fuqishëm kundër këtij regjimi. Vetëm zëri, energjia, entuziazmi i tyre është përgjigjja e vetme ndaj këtij narkoregjimi”, theksoi Berisha.

Sipas tij, “u provua se për t’i mohuar fjalën opozitës, ata ishin të gatshëm të sakrifikojnë parlamentin”.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›