E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylykbashi: U konfirmua se ishin zgjedhjet më të mira

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht një ndër bashkëhartuesit e Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, deklaron se raporti i OSBE/ODIHR-it konstaton që zgjedhjet e 8 Majit ishin më të mirat e bëra në Shqipëri. Sipas tij, në vitin 2001 raporti për zgjedhjet parlamentare të atij viti tha që zgjedhjet bënë një hap përpara në drejtim të standardeve. “Konstatoheshin përmirësime karshi zgjedhjeve vërtet me probleme të rënda të vitit 2000. Në vitin 2003 u konsideruan që ishte një shans i humbur për të kapur standardet e OSBE/ODIHR-it. Në vitin 2005 u tha se këto zgjedhje kapën edhe pjesërisht standardet. Në vitin 2007 zgjedhjet lokale të atij viti, për fat të keq qenë zgjedhje në të cilat u rikonfirmua për herë të tretë humbësi i zgjedhjeve të vitit 2011 në Bashkinë e Tiranës, lideri aktual i opozitës. Ato zgjedhje ishin përsëri një rast i humbur për t’i kapur plotësisht standardet”, u shpreh Bylykbashi. Zgjedhjet e vitit 2009, sqaroi ai, bënë një hap cilësor të krahasueshëm me vendet e rajonit, raporti i ODIHR tha që shumica e standardeve tashmë ishin kapur. “Ky raport, duke theksuar tashmë se këto zgjedhje ishin konkurrente dhe transparente dhe që zhvillimet pozitive në disa aspekte të këtyre zgjedhjeve hodhën bazat për progres të mëtejshëm, është qartazi një hap më tej në raport me zgjedhjet e fundit ato të vitit 2009”, konstatoi Bylykbashi. Duke iu referuar Tiranës, ai tha se ajo që është e rëndësishme është se në asnjë moment raporti nuk vë në diskutim që këto vota ishin të vlefshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›