Gjinushi: Raporti vërtetoi ato çka ka thënë opozita
Raporti i OSBE/ODIHR-it në vlerësimin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, vërtetoi atë çka ka thënë opozita, se zgjedhjet nuk i plotësuan standardet. “Kushdo që kërkon që Shqipëria të ecë përpara, do të kërkonte largimin e qeverisë për t’i hapur rrugë reformave në mënyrë që shqiptarët të rishprehin vullnetin e tyre dhe vota të numërohet sipas Kodit Zgjedhor”, tha Gjinushi. Sipas tij, një vend ka një stabilitet të rremë nëse hesht para votës së lirë. “Opozita ka të drejtë dhe jo detyrë të mbrojë votën, kur mbron votën nuk mbron mandatin e Edi Ramës, por të 250 000 qytetarëve të Tiranës për të zgjedhur kryebashkiakun. Ne nuk e kuptojmë që sa herë vjedh Saliu, opozita e ndien veten ngushtë, kur duhet të ishte e kundërta”, u shpreh Gjinushi. Kreu i socialdemokratëve insiston se Europa duhet të jetë konsekuente në thëniet e saj e të heqë dorë nga meraku se mos merr anën e njërit apo tjetrit, por të marrë anën e popullit. “BE në 12 prioritete për zgjedhjet ka kërkuar standarde zgjedhore, por në raport nuk është përmendur asnjëherë fjala standard”, tha Gjinushi.