ODIHR: Zgjedhjet e 8 Majit plotësuan pjesërisht standardet
Zëdhënësi zëvendësues Thomas Rymer thotë se raporti qartëson fushat konkrete ku u përmbushën detyrimet dhe ato ku diçka e tillë nuk u bë
Zgjedhjet e 8 Majit në Shqipëri kanë përmbushur një pjesë të standardeve të kërkuara ndërkombëtare dhe disa të tjera jo. Ky është konstatimi që bën përfaqësuesi i ODIHR-it, Thomas Rymer, në një intervistë për gazetën “Mapo”. Në vlerësimin e zëdhënësit zëvendësues të ODIHR-it raporti konstaton qartazi fushat e vlerësuara pozitivisht dhe ato negativisht. Rymer thotë se ky dokument duhet lexuar i plotë dhe jo me paragrafe të caktuara në favor të interesave politike.
OSBE/ODIHR-i sapo ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 8 Majit në Shqipëri. Në këtë raport ne nuk shohim termin “standard”. A mund të themi se këto zgjedhje kanë përmbushur standardet apo diçka e tillë nuk ka ndodhur?
Raporti përfundimtar i ODIHR-it analizon zgjedhjet administrative të 8 Majit në Shqipëri për përputhshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, ashtu sikurse edhe me legjislacionin vendas. Si i tillë, të gjitha vlerësimet e bëra në raport bazohen mbi standardet. Sa i takon çështjes nëse zgjedhjet i përmbushën standardet, raporti citon qartësisht fusha ku ato u plotësuan, ashtu sikurse edhe fusha të tjera ku nuk u plotësuan. Raporti nënvizon se dy partitë kryesore politike nuk i përmbushën detyrimet e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme dhe se veprimet e shumë kundërshtuara të KQZ-së, sa i takon rezultatit për garën e kryebashkiakut në Tiranë, minuan besimin se KQZ po vepronte si një trupë jopartiake dhe e pavarur. Raporti gjithashtu pohon se pluraliteti dhe diversiteti i medieve lejoi votuesit të zgjidhin nga një numër i konsiderueshëm alternativash dhe se procesi i numërimit u vlerësua përgjithësisht pozitiv.
Raporti krijon përshtypjen se procesi në tërësi kaloi mirë dhe i vetmi problem ishte numërimi dhe gara në Tiranë. A qëndron kjo?
Kishte shumë fusha ku procesi ishte në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare, ndërsa në të tjera nuk ishte. Çështjet lidhur me numërimin në garën për kryebashkiakun e Tiranës pa diskutim që minuan besimin e publikut te procesi, por raporti shpreh edhe të tjera shqetësime, përfshirë çështjet e numërimit në qendra të tjera.
Një prej sugjerimeve të raportit është rikonceptimi i kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Cila mendoni se mund të jetë formula e pranueshme për partitë politike dhe që garanton rritjen e besimit te procesi dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor?
Formula të ndryshme të kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë qenë të suksesshme në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së, duke ndihmuar që procesi të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas. Nuk është vendi që ODIHR-i të sugjeroje një formulë ideale. Ajo çka është e rëndësishme është se të gjitha partitë duhet të jenë në gjendje të arrijnë në një format konsensual, i cili është më i miri për Shqipërinë dhe të implementojnë këtë format në mënyrë konsistente.
Sërish partitë politike vazhdojnë ta lexojnë raportin ashtu sikurse u vjen më për shtat, duke iu referuar paragrafëve specifike e jo të 36 faqeve të raportit. A keni një apel për klasën politike, sa i takon këtij problemi?
Qëllimi i këtyre raporteve, dhe vëzhgimit të zgjedhjeve nga ODIHR-i në përgjithësi, është për të identifikuar fusha ku mundet që të ketë përmirësim me qëllim përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së, standardeve të tjera ndërkombëtare dhe legjislacionit vendas, ashtu sikurse për të rritur besueshmërinë te procesi demokratik. Piketimi dhe zgjedhja e pjesëve të caktuara në raport për të mbështetur interesa politike i humbet qëllimin dhe redukton dobishmërinë e raportit. Të gjitha pikat e raportit përmbajnë rekomandime për të përmirësuar procesin elektoral.
Bisedoi: Dardan Malaj
ODIHR, 27 rekomandime për zgjedhjet
Raporti listoi 27 sugjerime për reformën e ardhshme elektorale, duke përfshirë marrjen e masave për rritjen e besueshmërisë te KQZ dhe veprimtaria e saj
Raporti i OSBE/ODIHR-it ka rreshtuar 27 rekomandime për autoritetet shqiptare, partitë politike dhe administratën zgjedhore. Shumica e rekomandimeve përfshijnë ato të raportit të vitit 2009, por edhe vlerësimet e opinionit të Komisionit të Venecias në të njëjtin vit. Së pari, misioni kërkon nga partitë politike që të vendosin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet zgjedhore. U kërkohet partive të bëjnë detyrën e tyre në interes të Shqipërisë, duke shmangur ndërhyrjen e vendimeve zgjedhore me konsideratat politike. ODIHR thotë se duhet nisur menjëherë reforma zgjedhore, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa mund të rikonsiderohet formula e kompozimit të KQZ-së, duke rritur besimin te pavarësia dhe paanshmëria e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Një tjetër rekomandim është ai i përshtatjes së afateve të regjistrimit të kandidatëve me ato të printimit të fletëve të votimit apo ankimimit. OSBE/ODIHR sugjeron amendim Kodi për të sqaruar çështjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar apo kur numri i fletëve të votimit dhe votuesve është i ndryshëm. Adresimi i problemit të pavarësisë së transmetuesit publik apo të shmangies së votimit familjar, janë dy prioritete të tjera. Sugjerimi tjetër është rritja e gjobës për partitë që nuk respektojnë kuotat gjinore dhe kufizimet në shpenzimet e fushatës. ODIHR thotë se duhet amenduar Kodi, duke sqaruar rolin e KQZ në raport me KZAZ, sa i takon rastit të Tiranës.