E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: I vendosur për kursin e ri politik, qytetarët të protestojnë vetë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 17-08-2011 12:05

Raport i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Kështu e ka cilësuar kreu i PS-së, Edi Rama, vlerësimin e ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, përmes një opinioni të shpërndarë në disa media të veçuara. Pasi i dorëzoi dje Saimir Tahirit “tribunën” e selisë rozë, për të komentuar me zë raportin për zgjedhjet, kreu i PS-së ka zgjedhur komentin e shkruar, si formë komunikimi me qytetarët, në të cilin ka bërë me dije jo vetëm qëndrimin e tij për raportin, por edhe për kursin e ardhshëm politik. Ai ka përsëritur zotimin se është kundër vijës së ashpër të sjelljes së opozitës, si dhe ofron bashkëpunimin e tij për të realizuar reformën zgjedhore, në përmbushje të rekomandimeve të ODIHR-it. Në shkrimin e tij Rama jep një përqasje të re të Partisë Socialiste ndaj protestës, duke paralajmëruar se, sikurse ndodh në vende si Londra, Athina apo Parisi, opozita nuk do të udhëheqë protestat. “Këto janë orë të vështira për të gjithë ata që s’jetojnë në oborrin e pushtetit të Saliut, edhe për opozitën padyshim, por në kohë si këto secili, çdo qytetar, çdo grup interesi, çdo bashkësi, duhet të bëjë detyrën ndaj vetes, duke e luftuar këtë pushtet me të gjitha mjetet e rezistencës paqësore, me të gjithë forcën e fjalës e të protestës qytetare, jo duke pritur që opozita t’i zgjidhë si me magji problemet e mëdha që na mundojnë të gjithëve, apo të dalë përditë para publikut për të thënë: ‘Më ka çu nana me la gojën!’ për çdo gjë që ndodh në këtë vend” - shkruan Rama.

Për raportin

Që në nisje të reagimit të vet, shefi i opozitës vlerëson me nota të larta raportin se, ndryshe nga raportet e tjera, adreson pa ekuivoke problematikën e hasur në zgjedhjet e fundit vendore. “Raporti i ODIHR-it s’ka qenë asnjëherë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Gjithçka që publiku ka parë vetë, me sytë e tij, në zgjedhjet dramatike të Tiranës, dhe që ne kemi pretenduar pas numërimit që na nxori fitues, gjen konfirmim të plotë në qëndrimin e arbitrit ndërkombëtar”, - shprehet Rama në shkrimin e vet. Duke i konsideruar konstatimet e raportit si pjesë të krizës së zgjedhjeve në vendin tonë, kreu i socialistëve thekson se në raportin e ODIHR-it janë dhënë edhe rekomandime të vyera për ta adresuar atë siç duhet, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të përputhen me standardet deri këtu, sipas tij, të munguara ndërkombëtare. Në referencë të përfundimeve të ODIHR-it, Rama bën të qartë se minimalisht me këtë KQZ dhe këtë Kolegj Zgjedhor s’mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri.

Për kursin e ri

Në opinionin e vet, Rama i ka kushtuar një rëndësi edhe të gjithë atyre zërave opozitarë, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë shprehur pakënaqësi të hapura për linjën e “butë” të PS-së. “E di fort mirë se ç’zhgënjim e brengosje ka lënë pas maskarada e Tiranës, di edhe se sa shumë janë ata që vazhdojnë të na gjykojnë keq, mua personalisht në radhë të parë, për qasjen paqësore me të cilën e përballuam procesin torturues të manipulimit të rezultatit ditën për diell. Kam ndjekur me vëmendje shpalosjen e një fryme revolte në editoriale, analiza e blogje, ku opozita akuzohet si e pafuqishme përballë të keqes që ka kapur për fyti Shqipërinë dhe si e paaftë për të mbrojtur me forcë votën e marrë nga populli. Mirëkuptoj revoltën e secilit që ndihet keq në këtë situatë dramatike, por nuk ndaj dot opinionin se këtë situatë e zgjidh vetëm reagimi i dhunshëm i opozitës. Dhe nuk kam asnjë pendesë për qasjen tonë paqësore ndaj procesit, për rrugën ligjore që ndoqëm deri në fund, për mosnxitjen e dhunës kur një dorë zullumqarësh të veshur me toga të zeza vulosën me vendim gjykate grabitjen e dhunshme të mandatit tonë për Tiranën”, - shprehet Rama. Nga ana tjetër, duke iu përmbajtur kësaj fryme, ai shprehet i sigurt në rrugën që ka vendosur të ndjekë për kursin e ri politik. “Nuk kam asnjë dyshim në domosdoshmërinë e kursit tonë të ri politik, të betejës sonë parlamentare për të reformuar Kodin Zgjedhor, bazuar mbi të gjitha konstatimet e rekomandimet e raportit të ODIHR-it, të shtimit të rrugëve e të intensitetit të komunikimit me qytetarët për hallet e mëdha të vendit, të nevojës për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të qartë qeverisëse, si edhe të të kuptuarit nga të gjithë se opozita as nuk është qeveri që mban përgjegjësi për të zezat që qeveria i bën popullit, as nuk mund të kthehet në qeveri, përveçse përmes votës së popullit”, - thekson Rama në këtë opinion, ndërsa garanton qytetarët se do të jetë në krye të këtij aksioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›