Bylykbashi dhe Bulku, zyrtarisht lojtarë të Dnjipros
Dorian Bylykbashi dhe Ervin Bulku kanë kaluar zyrtarisht te Dnjipros D'petrovsk, ekipi injohur i kampionatit ukrainas. Lajmin e konfirmon Dorian Bylykbashi, i cili, bashkë me Ervin Bulkun, janë aktivizuar deri tani me Krivbasin. "Sot (dje) kemi firmosur kontratën e jetës,"- thotë në linjë telefonike nga Ukraina Dorian Bylykbashi. - Kontrata është 3-vjeçare, 1 gusht 2008 - 1 qershor 2011. Deri në dhjetor do të jemi pjesë e Krivbasit, për të respektuar kontratën me klubin, të cilit i detyrohemi shumë, pasi na bëri të njohur në Kampionatin Ukrainas. Transferimi te Dnjipro u bë më i lehtë, pasi njeriu që financon klubin tonë ka aksione edhe te kjo skuadër. Dnjipro është një ndër tre ekipet më të mëdha këtu, pas Dinamos së Kievit dhe Shahtjorit të Donjeckut. Ishte oferta më e mirë dhe nuk mund të refuzohej." Paraqitjet konstante me Krivbasin të Bylykbashit dhe Bulkut bënë që interesimi të rritej, sidomos për të parin, i cili së fundmi, u bë edhe kapiten ekipi. Nga ky kalim, lojtarët do të përfitojnë shumë. Fantazisti i kombëtares, Dorian Bylykbashi, tregohet i hapur: "Do të përfitoj 1.7 milionë dollarë neto. Nuk ka ku të shkojë më mirë. Tani duhet të mendoj për Krivbasin, në mënyrë që ta mbyll mirë dhe më pas t'i përkushtohem tërësisht Dnjipros." Për sa i përket Ervin Bulkut, ai do të marrë neto një shumë prej 1.2 milionë dollarësh.