Tifozët e Partizanit nuk ndalen, protesta përditë
Edhe dje, tifozët e Partizanit janë mbledhur pranë ambienteve të klubit, duke protestuar për situatën e krijuar së fundi. Edhe këtë radhë objekt i tyre ka qenë presidenti Albert Xhani, i cili prej 10 vjetësh është në krye të Partizanit. Numri i tifozëve të kuq të pranishëm në klub ka qenë më i madh se ditën e hënë, ndërkohë forcat e rendit kanë qenë të gatshme për të parandaluar incidentet e mundshme. “Xhani ik”, kjo ka qenë parulla dhe thirrja kryesore që tifozët e Partizanit u kanë drejtuar krerëve të klubit, të cilët nuk kanë denjuar as t'i takojnë dhe as t'u japin shpjegime për situatën e krijuar. Madje thirrjet në kor kanë vijuar për një kohë të gjatë, derisa organizatorët e protestës kanë vendosur të ndalen. "Ne nuk pranojmë të përçmohemi në këtë mënyrë. Partizani nuk është i një njeriu të vetëm, por i të gjithë tifozëve. Jemi ne ata që çirremi në shkallët e stadiumit për këtë fanellë, prandaj duhet të na dëgjohet zëri. Askush nuk mund të vazhdojë të tallet me këtë bluzë," - është shprehur i irrituar një nga tifozët pjesëmarrës në protestë. Thirrjet kundër presidentit Albert Xhani kanë vijuar për rreth gjysmë ore, më pas protestuesit janë larguar qetësisht, por të bindur se nuk do të mbarojnë me kaq. "Edhe ata tifozë që janë disi më indiferentë, po e kuptojmë që nuk ka mënyrë tjetër për ta shpëtuar Partizanin, ndaj po bashkohen me ne. Në krahasim me protestën e ditës së hënë, tani jemi më të shumtë në numër dhe do të vazhdojmë të kërkojmë përkrahjen e të gjithë atyre që e kanë në zemër këtë skuadër. Nuk do të ndalemi për asnjë ditë. Edhe nesër do të jemi këtu në klub, për të kërkuar dorëheqjen e presidentit," - është shprehur Marengleni. Tashmë Partizani i ka humbur ultrasit e tij. Ata, që edhe në ditët më të këqija kanë brohoritur për Partizanin, nuk do të jenë më në shkallët e stadimit derisa diçka të ndryshojë. Madje jo vetëm keq. Tifozët premtojnë se do të bëjnë gjithçka për të mos e lejuar skuadrën e zemrës të dalë në fushë. "Protestat nuk do të mbyllen me kaq. Ne do të vijmë përsëri në klub, derisa të marrim përgjigje nga presidenti. Nëse situata do të jetë e njëjtë, atëherë protestat tona do të shtrihen më gjerë. Nuk mund të bëhet fjalë që ne ta përkrahim përsëri Partizanin në ndeshjet e kampionatit. Ne do ta pengojmë skuadrën të dalë në fushë, madje edhe tifozët indiferentë nuk do të kenë shans të futen në stadium. S'do ta lejojmë Partizanin të luajë me Vllazninë në ndeshjen e parë brenda në shtëpi. Më mirë të marrim një humbje 2-0 apo 3-0 në tavolinë, sesa të mundemi 6 apo 7 me zero," - është shprehur Ilir Prenga.