E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bypass Show” hap lavazh për pastrimin e figurave publike



A e dini se ka dalë në qarkullim një shampo për pastërtinë e figurës? Po se lavazhet e Tiranës, përveç “larje jashtë e brenda”, “luçidim”, “larje tapicerie”, ofrojnë edhe “larje figure”? Të gjithë të interesuarit për këto dy produkte të reja mund të marrin më shumë informacion të dielën në orën 20:10, në emisionin “Bypass Show” në “Vizion Plus”. Siç mund ta keni kuptuar, emisioni i kësaj jave merret me projektligjin “Për pastërtinë e figurës”, ose, siç njihet ndryshe, “hapja e dosjeve”. Nëse ky projektligj kalon, paralajmëron “Bypass”-i, pasojat sociale do të jenë disa. Së pari, do të lindë nevoja e ndryshimit të fjalorit të shqipes së folur e të shkruar, standarde a gegërisht qoftë ajo. Shprehja e parë që “do ta hajë” është e shumëpërdorura “ku je, o figurë?!”, që do të shndërrohet në “ku je, o figurë e pastër?!” Nëse për kalimin nga një shprehje në tjetrën do të duhet tjetër projektligj, kjo do të kërkojë konsensus jo vetëm të dy forcave kryesore, por edhe të ndërkombëtarëve. Të majtët, ngulmon “Bypass”-i, do të kërkojnë që të marrin ekskluzivitetin e tregtimit të shampos “Për pastërtinë e figurës”, duke ua lënë të djathtëve të merren me fjalë. Sa i takon lobingut për zotërimin e kartelit të lavazheve, beteja do të zhvillohet mes trustit të lypsarëve që lajnë makinat te semaforët dhe grupit lavazhor “Nano ik!”. Në një plan tjetër, në atë të medias, “Bypass”-i ka nisur një investigim për të gjetur se kush është kryeredaktori i parë i gazetës “Rilindja demokratike”. Kjo pas një deklarate të deputetit Spartak Ngjela, sipas së cilës, një shkrim i tij për spiunët në vitin 1991 nuk u botua kurrë nga kryeredaktori i RD-së. Po kush ishte ky? Frrok Çupi thotë se nuk ishte ai. Preç Zogaj thotë jashtë kamerës se ishte Frrok Çupi. Napoleon Roshi ka ndërruar jetë dhe nuk mund të pyetej. Mitro Çela po, që është burrë me humor. Ai gjen një zgjidhje xhenuine kur thotë për mikrofonin e “Bypass”-it se meqë as Frroku dhe as Preçi nuk janë kryeredaktorët e parë, atëherë është më e lehtë që kjo t’i vishet Napoleon Roshit. Sipas Çelës, faji nuk ka pse të mbetet jetim kur fare mirë mund t’u faturohet të vdekurve. “Bypass”-i prapë nuk është i sigurt se kush ka qenë kryeredaktori i parë i “RD”-së, kështu që kërkon ndihmën e lexuesve me anë të lajmërimit të mëposhtëm. “Me hidhërim të cekët njoftojmë humbjen e ish-kryeredaktorit të parë të gazetës ‘Rilindja demokratike’. Herën e parafundit është parë në afërsi të lokalit ‘Loli Pop’ dhe më pas është larguar drejt redaksisë së gazetës ‘Perëndon’. Kush e gjen fiton një vit abonim falas në gazetë, si dhe një darkë me kryeredaktorin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë”.
Kush e gjen të shumëkërkuarin e gazetës së parë opozitare ta dorëzojë në redaksi, ku do të marrë edhe një bonus ekstra. Bëhet fjalë për njërën nga këpucët me të cilën gazetari irakian i gjuajti presidentit Bush. Ajo ka përfunduar në Shqipëri për t’u ekspozuar në lokalin që është hapur për nder të presidentit amerikan në Fushë-Krujë. Në “Bypass”-in e kësaj së diele do të mund të ndiqni edhe konkursin “Mister gjeli i detit”, i cili zhvillohet në Peqin. Gara për gjelin më të bukur duket se është zhvendosur nga Peqini në Kavajë, ku është zhvilluar ndeshja e futbollit mes ekipeve të këtyre qyteteve. Lojtarët kanë dashur që edhe në Kavajë të zhvillohej një konkurs gjelash, për të zgjedhur jo më të bukurin, por më të fortin. Në “Bypass Shoë”-n e kësaj jave do të ketë edhe surpriza të tjera. Do t’ua zbulonim të gjitha, por kaq radhë kemi dhe, për mungesë vendi, ju ftojmë të ndiqni Vizon Plusin të dielën në orën 20:10.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›