E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antifabul



Yzedin HIMA

Turma e milingonave vente e vinte në mesditën e nxehtë të korrikut. Nga porta e shtëpisë së tyre rridhte një çurgë nate. Ato nuk ndaleshin për asnjë çast. Kokrrat e mëdha të grurit binin në humnerën e zezë të ekzistencës së tyre. Zogjtë e ndalën koncertin dhe vizatonin harqe freskie mbi burim. Ajri i nxehtë rëndonte si plumb i shkrirë mbi krahët e larashit.
Gjinkallat vazhdonin koncertin e tyre. Kori i tyre freskonte qiellin e kaltër. Ajri dridhej, teksa vërshonte nga gjoksi i tyre. Pylli merrte frymë nga mijra klimatizatorë të vegjël. Nën ritmin e këngës së tyre po ndërtohej piramida e ekzistencës nga vargu i zi i skllevërve. Pastaj vera shkoi. Nga sytë e trishtuar të drerit pikonte dimër. Matanë kristalineve të qerpikëve të akullt kërkova sytë borealë të Asaj.
Jam një vidh i mjerë me brekë e këmishë të bardhë që përmjerr në lëndinë!
Gjinkalla troket në portën e zezë të milingonave. Kërkoi taksën e koncerteve të verës. Një zë i akullt proletari rrodhi nga të çarat e derës:
- Po çfarë bëre gjithë verën?
- Detyrën e çdo artisti në botë, këndova pa reshtur që të mos e zinte gjumi pyllin dhe vdiste, që ajri të mos derdhej si plumb i shkrirë mbi bar, që qetësia e vdekjes të mos paralizonte milingonat në varg.
Milingona u përvodh në terrin e moralit të turmës.
Mbeta vidh i mjerë me brekë e këmishë të bardhë në mes të borës së ngrirë të moralit. Këngët e akullta të gjinkallave zgjaten stalaktit në strehët e syve të Asaj.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›