E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtari dhe dy faqet e medaljes



Një shkrimtar është një qenie e lirë, një fiksion është imagjinatë dhe jo realitet, kultura për njeriun është më e rëndësishme se buka, kritika është e lirë dhe të jetuarit së bashku është i pamundur, pa tolerancën. Por si t’ ia bëjmë që të dëgjohemi? Si të mbërrijmë në mendjet dhe imagjinatën e tyre? Dihet se proçeset e fanatizmit fillojnë nga vrasja e inteligjencës dhe e çdo fryme kritike. Pastaj rruga është e lirë për dhunën dhe vdekjen.

Tahar Jean BELLOUN

Një shkrimtar i madh, në përgjithësi, nuk ka nevojë për medalje. Dekorata janë librat e tij që hyjnë në shtëpitë e miliona lexuesve dhe u bëhen miq për netët e gjata të dimrit. Edhe nëse disa shkrimtarë ftillojnë të bëhen pjesë e akademive, të nderohen nga vendet e tyre, ose nga juri të formuara nga sivëllezërit e tyre, ata e dinë hak fare se ajo çka do t’u vihet në hesap do të jenë dy, ose tri libra të mëdhenj që kanë shkruar. Vaniteti është njerëzor, por dihet se është fare i padobishëm. Ai i jep ëndjen dhe komfortin një shkrimtari në qëndresën ndaj mediokritetit.

1.
Rasti i Salman Rushdie-s është i ndryshëm. Nga fakti se në vitin 1989 është shënjuar për t’u vrarë nga ajatullah Khomeni, për shkak se ka shkruar “Vargje Satanike”, fati i tij si njeri, por edhe si krijues i fiksionit, na përket të gjithëve.
Nuk jemi më në kohën kur digjeshin librat dhe gjuheshin autorët e tyre. Mund të mos e çmosh një vepër, mund ta kritikosh, por nuk mund të dënohet me vdekje autori i saj, e veçanërisht me mënyrën më të hapërndarë dhe më të pakontrolluar, domethënë përme një fatwa-je, një vendim fetar që s’ka asgjë të përbashkët as me ligjin, as me drejtësinë. Kësisoj, akcili mysliman i fanatizuar, mund të marrë një armë, ta vrasë këtë njeri dhe për këtë do të shpërblehet. Është e vërtetë se Islami ka shumë kohë që e nxit krijimin dhe kërkimin shkencor. Është e vërtetë se poetët nuk janë parë me sy të mirë, por që prej këtej për të mbërritur te vrasja, ehuuu..., kërkund në tekstet e Kuranit vrasësi nuk është i autorizuar.

2.
Ne mendonim se kjo fatwa ishte hequr, se jeta e Salman Rushdie-së nuk ishte më e ekspozuar ndaj një vdekjeje të dhunshme. Në 1998 qeveria iraniane kishte saktësuar në një komunikatë se nuk do ta përdorte vendimin me vdekje, pra fatwanë e Khomeiny-t, e cila e kishte konsideruar shkrimtarin britanik me origjinë indiane si femohues, gjaku i të cilit mund të derdhej pa u shpaguar.
Kemi besuar se çështja, e klasifikuar si gjesti i një të çmenduri të tërbuar, të fanatizuar, ishte mbyllur. Salman Rushdie filloi një jetë normale, iu dha leje truprojeve, u rimartua dhe u vendos në New York.
Por mbretëresha Elisabeth II, përmes veprimit të saj simpatik, pra duke i dhënë një titull fisnikërie në 16 qershor 2006, rizgjoi zemërimin dhe fanatizmin fetar.
Çështja e vjetër e para shumë viteve është rigjallëruar sërish dhe në mënyrën më të keqe.

3.
Kur shoh këto turma fanatikësh të kërkojnë kokën e një njeriu, kur dëgjoj ulërimat dhe thirrjet për vrasje, sepse një shkrimtar i madh ka marrë një titull fisnikërie nga mbretëresha e Anglisë, kur politikanët na thonë se Islami dhe myslimanët janë fyer, sepse Salman Rushdie është bërë Sir Salman Rushdie, unë vërej se injoranca dhe obskurantizmi na kanë rrethuar sërishmi, duke kanosur krijimin letrar dhe guximin që shtyn përpara shpirtin dhe mentalitetet.
Kemi patur protesta, të cilat shkaktuan shumë të vdekur, për shkak të botimit të karikaturave të Mumametit, ornamente të cilat nuk mund ta cënonin në masë, sepse ky Profet i madh është një frymë e vendosur përtej çdo paraqitjeje; kemi patur çështjen e operas së Berlinit, e cila ka qenë e detyruar t’i ndërpresë shfaqjet, sepse në aktin e fundit profetët janë keqtrajtuar nga regjisori, pastaj kemi patur tekstin e Voltaire-it, “Muhameti”, i cili nuk ka mundur të luhet në Francë.
Regresi është kthyer! Qëndresa po ashtu.

4.
Ajo çka u duhet thënë turmave, që protestojnë në rrugët e Iranit, të Pakistanit apo gjetiu, është se një shkrimtar është një qenie e lirë, se një fiksion është imagjinatë dhe jo realitet, se kultura për njeriun është më e rëndësishme se buka, se kritika është e lirë dhe se të jetuarit së bashku është i pamundur, pa tolerancën. Po si t’ ia bëjmë që të na dëgjojnë? Si të mbërrijmë në mendjet dhe imagjinatën e tyre? Dihet se proçeset e fanatizmit fillojnë nga vrasja e inteligjencës dhe e çdo fryme kritike. Pastaj rruga është e lirë për dhunën dhe vdekjen.
Ballazi kësaj furie urrejtje kundër Salman Rushdie-së Irani do të ngulte sërish gozhdë në thirrjen për vdekje: hoxhatoislami Ahmad hatami ka deklaruar më 22 qershor: “Në Iranin islamik fatwaja revolucionare e imam Khomeiny-t është gjithmonë e vlefshme dhe e pandryshueshme.” Ajo është një lloj bilete, e rezervuar për të Përtejmen, një lloj bilete avioni, “e vlefshme dhe e pandryshueshme”!
Një organizatë joqeveritare ka vendosur një primo për vrasësin e Ruzhdie-së që shkon nga 100. 000 gjer në 150. 000 dollarë, pa llogaritur primon zyrtare që është shumë më e lartë.
Së fundmi, ata që janë xhindosur me Salman Ruzhdie-në them se nuk i kanë lexuar fare “Fëmijët e mesnatës”, kryeveprën e tij, “Turpi”, pa folur për “Vargjet satanike”, roman i fiksionit, kompleks dhe i pasur, që e nderon imagjinatën e autorit.
Do t’i uroja paqe dhe jetë të gjatë Sir Salman Ruzhdie-së, sepse ka për të shkruar libra të bukur dhe për të pasuruar kulturën universale.

Përktheu Balil Gjini

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›