E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të humbur të përjetshëm



Adriatike LAMI
Të humbur të përjetshëm

Atë mbrëmje
Me syrin tënd preka majën e Dajtit,
E afrova sa munda dhe i fola gjelbërimit:

- Kur bora të të mbulojë
Lulet të flenë në shtratin tënd
Çfarë bën me ngrohtësinë e një moti më parë,

Thellë-thellë,
A mundet të ruhet e pandryshueshme?

- Nëse ndarja ka formën e flatrës
Dhe dashuria formën e vatrës,

Do ketë vetëm Të Humbur, Të Përjetshëm.

Gjiri i Orikumit

Orikumi është një gji gruaje
Falltare, ku fluturojnë shtegtarë
Vetëm në kohën e vetmisë së rrallë
Muzika vesh honet me erë vale, fjale.
S’kam shkelur ende në gadishull
Gjithçka njerëzore ka kapele
Kashte dhe zjarr, për t’u shuar
Nga deti që buçet prej kufijve të vet.

Kam filluar...

I dashur,
Kam filluar ta njoh tokën time.
Të shkretë, vringëlluese, teh dhimbje e qëndrese,
N’perëndimin e kuq, t’perëndimit të vesës.
Tejet të gjatë, për një vend të vogël
Kam nisur të bisedoj me ty shtruar
Nëpërmjet rrëkesë së fjalës
E dashurisë së dheut

Iu përçuan sytë e ndezur natës
Nga imagjinata e ngujuar në vetëmirë.
Kam filluar ta njoh tokën time.
E kësisoj, kam nisur ta dua.
Ju të gjithë vetëm ecni, unë ndez qirinj
Në kreun e krisur të shpresës së re
Gjithçka përjetë perëndon
Në hutat e dashurisë së mungesave.

Larg zgjimit tim

Dy kre kam këtë pranverë
Njërën në kohën e bardhë pas, brezare
Tjetrën në qiellin e përhimtë, t’ardhmes
Lundrojnë të dyja në lundra ëndrrash
Dhe sillen rrotull me lot resh të shkara
Kanë zbarkuar në tokën time të lirë.
Duhet të ketë një pikë takimi
Përkohësia po më vret në briga.
Je ti ku do të prehet, pragu i përjetshëm

Po qan, tutesh me dëshirën e çarë të mallit
Për prehjen e gjërave në jetën tonë.
Shkërlinet prej tyre e vjetra e prishur
Me rrasë të kaftë e çikërrima të gjetura
Si diamantë të humbur në duna rëre
Ai po ikën honit të mbramë në thëllim
Përfundimisht i largohet zgjimit
Por jo gjumit tim.

Pema e Vitit të Ri

Këtë vit e morëm të bardhë
Bredh dëbore dhe arinj polarë

Përtacë, që nuk i shkojnë lagjes
Sonë të zhurmshme, shije prapësie

Fëmijët prekin me dorë dëshirën e shokut
Për të pasur më shumë hierarki konvencionesh
Shtëpizën e vogël, në thelën e majës triumf

Përtej nisi të dukej si dorë perëndie.
Është nata e parë, në stanin e festave
Kam harruar të blej zilkat tunduese.
Djemtë më thanë se qe zakoni yt i mirë
Pronë që doje t’ua lije trashëgim.

Dëborë engjëllore

Dëborë engjëllore, flogër e bardhë
Anije me ngjyrë dhe shkumë deti
Nisur nga mali i kuprit të parë
Në kthime gjithmonë pas rrëmeti.
Vjen ti, më thua, je nisur për mua
N’agime që pas të mbetën në palma
Aradhat e mbretit vranë në mesnatë
Ditën i qanë, britëm nëpër dasma.

Ti zemër e trishtë nga malli për mua
Lundro në ijen e ditës, përpara e kemi
Asnjë dëshirë e të qenit flakë, grua
Nuk shkon pa lënë gjurmë te mbreti
Në kreshtën e fshehtë t’kafshës së egër

Pa zbritur mirë, ëmbëlsuar nga pylli
Vjen ti, zgjon amanetet e të vdekurit
Shpall takimin në gutën e bririt, te ylli

I largët në udhën e tij të përsëritur
Nuk di ku të shkojë e të ndalet
Pas bimës së tharë të trisjes së lotit
Ludini i tij i verbër nis e çahet
Nga malli për ty, o nismë vendimtare
E kthesës, fshehur në bishtin e djallit
Kapiten në ëndërr me t’rinë e përjetshëm
Të ulet me shkulm në portën e mallit.

Arratisu me thelë të vrame, të copëtueme
Plot dëshirë më buzë pralimi të shtirë
Fsheh nënën e turpnimit në fole të barit
Ku zgjohen të trazueme në heshtë idhnitë.

Pa zbritur as kupën e dollisë së florinjtë
Vjedhur në gostinë e mbrëmjes me princër mortorë
Po tundet ai mal me zemër në sofrën e qiellit
Në vendin tënd t’mjeruarit po vënë kurorë.

Të mbetet veç t’qash, t’ofshash pa mbarim
Nuk mundesh me rregulla të mbash tujet
Njeriu është bota që e shkelin të gjithë
Në fronet ku udhëtari i humbur ulet.
Anija e tij dihet në ç’kapërdim u thjeshtua
Përplasur pas murit, ku copëtimi u ngri
Pas muzgut të solli një enë me peshq të artë
Dhe bora te mali mbi ty nisi të shkrijë.

Flutur e kuqe

Eja, më the
U ktheva në një gjarpërushë të stuhishme
Ja që e doja atë luspë të bardhë e të ngrohtë.
Ti nuk kishe kurrë vatër,
Gjithmonë në udhëtim
Flutur e kuqe, flatër ndëshkim.

Djali im për jetën

Falë vdekjes
Çdo jete i dhashë vlerë

Jetë-fëmijë në frikë drite
Kur shuhet në vlag, pyet

Deri kur do ta kem nënën
Ka filluar të mos flasë për të ardhmen

Ja druri dhe zgavra e syrit rrëshirë
Vullkani në majë, dëshirë e majmë e Zotit.

Fati im

S’të lë të plakesh, më pate thënë
Do të të shoh thinja të arta,
Gaca të kohës me dashuri.

* * *
Ngatërresë, ujdhesë në fjalën tënde
Heshtje, bujtesë në fjalën time,
Vatër dashurie në flakë.

* * *
Fati im, lugat i përgjumur
Harruar në vetëtimë, helmon
Verdhon fatin e gjindjes që dua.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›