Dalipi: Të gjitha janë finale, Tërbuni se lëshon kreun
Nga Erjon Saliu
Fitorja e thellë me Erzenin, 4-0, natyrisht që e ka gëzuar pa masë stafin dhe futbollistët e Tërbunit. Drejtori teknik i pukjanëve, Edmond Dalipi, ka besim se skuadra nuk do të ndalet, edhe pse e presin përballje të vështira, siç janë transfertat me Olimpikun dhe Sukthin. Në një prononcim për Sportin shqiptar, ai thekson: Fitorja me Erzenin pritej sepse ne deri më tani nuk kemi asnjë humbje. Trëbuni do të jetë në krye të grupit, edhe pse e presin ndeshje të vështira në vijim. Jemi në krye dhe kjo është meritë e presidentit Petrit Syla, që ka bërë një investim serioz, por edhe falë punës së trajnerëve Stojku dhe Nehxipi, pa harruar lojtarët, të cilët në çdo ndeshje po bëjnë më të mirën e tyre. Kemi një javë pushim dhe më pas na pret një transfertë e vështirë me Olimpikun në Tiranë, ku do të synojmë të marrim fitoren. Të gjithë lojtarët janë në formë. Natyrisht që edhe reparti i sulmit po funksionon, madje me Erzenin shënuan si Agastra ashtu edhe Kulli. Grupi është konsoliduar dhe në skuadër mbizotëron harmonia e plotë.
Sako: Memaliaj i ka qejf pretendentët
Nga Roland Suli
Memaliaj, pas dy javësh zhgënjyese, barazimit në fushën e tij me Albpetrolin dhe humbjes në Delvinë, pretendon të kthehet te fitorja në ndeshjen e vështirë me Naftëtarin pretendent. Është rasti për tu pajtuar me spordashësit memaljotë, pasi ka përfunduar dënimi prej 4 javësh i fushës së Memaliajt. Që në fillim të javës, Memaliaj po përgatitet me shumë seriozitet për këtë ndeshje dhe sulmuesi Orges Sako thekson se Naftëtari do të ketë të njëjtin fat si Partizani dhe Bilisht Sporti, dy pretendentët e tjerë në grupin e jugut. Presim Naftëtarin dhe do të bëjmë gjithë përpjekjet për të fituar. Ekipi ynë bën lojë të ndershme dhe këtë gjë do ta vërtetojë fusha edhe këtë javë. Personalisht do të përpiqem të shënoj në portën e Naftëtarit. Jemi 100% të gatshëm për këtë sfidë, ku do të luajmë me formaconin më të mirë. Tifozët tanë presin më të mirën dhe ne këtë u premtojmë. Memaliaj luan vetëm për veten, kështu që besoj se do të nxjerrim një ndeshje të bukur, natyrisht të finalizuar me fitore, është shprehur sulmuesi memaljot, Orges Sako.
