Barroso: Greqia, të bëjë detyrat e saj për ndihmat

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Maneul Barroso i ka bërë thirrje Greqisë të marrë përsipër në mënyrë të qartë përgjegjësinë për respektimin e kushteve të ndihmës me qëllim të mënjanimit të falimentimit shtetëror. Gjatë një dalje para gazetarëve Barroso tha se "kushti i parë për sukses është që Greqia të marrë ndihmën dhe të jetë e gatshme të bëjë në këtë pikë edhe detyrën e saj."
Ndërkohë sipas televizionit shtetëror grek NET, të hënën kryeministri Jorgos Papandreu do të takohet me presidentin e KE-së, Barroso. Në përpjekjet për të shmangur një falimentim shtetëror kryeministri grek riformatoi kabinetin e tij. Më herët gjatë një takimi në Berlin kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Nikola Sarkozi theksuan se do të kontribuojnë së bashku për shpëtimin e Greqisë dhe sigurimin e euros. Të dy liderët deklaruan se pjesëmarrja "vullnetare" e krditorëve privatë do të ishte e mirëpritur, ndërsa theksuan se kjo lëvizje duhet të koordinohet me Bankën Qendrore Evropiane .