Kondakov: Banka e Detit të Zi do rrisë investimet në Shqipëri

Shqipëria është nga të paktat vende që nuk u prek nga kriza ndërsa politikat fiskale të ndjekura nga qeveria kanë bërë që interesi i investitorëve të huaj drejt vendit tonë të mos ulet. Me këtë vlerësim e ka konkluduar fjalën e tij presidenti i bankës së Detit të Zi për tregti dhe zhvillim Andrey Kondakov. Duke iu referuar parametrave të ekonomisë në vendin tonë, e cila sipas tij është e qëndrueshme, kjo bankë në planin e saj 4 vjeçar 2011-2015 parashikon të rrisë investimet në Shqipëri me mbi 60 milion euro. Sipas presidnetit të bankës sistemi i huadhënies do të përqëndrohet në aktivitete të lidhura me tregtinë, zhvillimin e infratsrukturës etj.
Ndërkaq guvernatori për Shqipërinë pranë kësaj banke Nezir Haldeda tha se banka e Detit të Zi për tregti dhe zhvillim kryen një kontribut në rritje për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ai tha se portofoli i investimeve shkon në 61.4 milion euro dhe është i shpërndarë dhe mbulon investime në prodhim, telekomunikacion, në sektorin e shëndetit publik dhe në sektorin financiar. Kjo bankë është një institucion ndërkombëtar financiar i themeluar nga 11 vende ndër të cilat edhe Shqipëria e cila mban 2 përqind të aksioneve të saj.