E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ: Borxhi që qeveria ka ndaj nesh, më i lartë se detyrimi ndaj KESH

Kompania CEZ Shpërndarje ka sqaruar dje, se borxhi prej 55 milionë eurosh ndaj KESH-it është trashëguar para dhe pas privatizimit të kompanisë dhe janë detyrime të papaguara të shtetit ndaj CEZ-it. Madje sipas burimeve zyrtare në CEZ, detyrimet e shtetit janë më të larta se borxhi që CEZ ka ndaj KESH-it. Çka do të thotë se shteti me ndërmarrjet dhe institucionet e tij nuk e ka shlyer energjinë e konsumuar. Kompania CEZ e gjendur para kësaj situate, nuk ka shlyer disa prej detyrimeve ndaj KESH-it, të cilat nuk janë të këtij viti. Burimet zyrtare në CEZ sqaruan se kompania është në negociata me qeverinë për zgjidhjen e kësaj situate. Madje, për këtë qëllim është organizuar një tryezë e përbashkët me Ministrinë e Financave dhe me përfaqësuesit e KESH-it. Nga negociatat, CEZ pret që qeveria të përcaktojë një kalendar pagesash, të cilat në momentin që do të arkëtohen nga CEZ do të shkojnë për shlyerjen e borxheve të KESH-it. Kështu, çështja e detyrimeve është kthyer në një rreth vicioz, që në të ardhmen e afërt mund të gjenerojë një krizë energjetike. Sektori i energjetikës në vend është i dyti pas atij të ndërtimit që është përfshirë në një krizë borxhesh, e cila e ka origjinën nga mosshlyerja e faturave të shtetit për shërbimet që i janë ofruar nga privatët. Institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit historikisht nuk e kanë paguar energjinë elektrike, mirëpo kjo nuk ka qenë një problem derisa shpërndarja e energjisë ka qenë pronë e shtetit. Për t’i dhënë një lloj zgjidhjeje situatës, parlamenti ka në proces miratimin e një ligji, që i bën faturat e energjisë të të gjitha niveleve titull ekzekutiv. Kjo detyron CEZ-in të paguajë të gjitha faturat ndaj KESH-it dhe më pas të apelojë për pretendimet në gjykatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›