E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia dhe Shqipëria, një forum për ekonominë

Edhe pse në një sfond krize, bashkëpunimi ekonomik Greqi-Shqipëri vijon. Nesër nis punimet Forumi V Greko- Shqiptar i Biznesit, "Një urë përmes ideve të reja", i cili organizohet nga Ambasada e Greqisë në Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën e Bizneseve Greke në Shqipëri. Temat që do të trajtohen në këtë Forum do të fokusohen në mjedisin investues në Shqipëri, në bashkëpunimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, të institucioneve dhe bizneseve të të dyja vendeve, në projektimin e veprimeve dhe iniciativave të përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të tyre, si edhe në kontributin e investitorëve e bizneseve nga Greqia në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe mbështetjen e begatisë sociale në vend. Folës në këtë Forum do të jenë Ambasadori i Greqisë në Tiranë, z. Nicolas Pazios, zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë & Energjetikës, z. Neritan Alibali, presidenti dhe zv/presidenti i Shoqatës Greke të Biznesit në Shqipëri, presidenti dhe kryetari i Bordit Drejtues të Panairit Ndërkombëtar të Thessalonikit, nga edhe është bërë e mundur prezenca shumë e rëndësishme greke në Panairin e 18-të Ndërkombëtar në Tiranë nga data 25-30 në Pallatin e Kongreseve; presidentët e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Thessalonikit, Tiranës dhe të Dhomës Greko-Shqiptare, si edhe drejtues të lartë të kompanive greke që kanë aktivitet në vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›