Importi i energjisë, KESH: CEZ na detyrohet 55 mln euro
KESH sqaroi dje se kompania e Shpërndarjes së Energjisë i detyrohet 7 miliardë lekë, shumë kjo e mjaftueshme për të siguruar importin e nevojshëm të energjisë për disa muaj. Borxhi tashmë është në një proces gjyqësor
Përveç mungesës së reshjeve aq të nevojshme për furnizimin e vendit me energji, kompanitë e sektorit të energjetikës në vend janë përfshirë në një rreth vicioz borxhesh, që e rëndon edhe më shumë situatën. Dje burimet në KESH njoftuan se kompania e Shpërndarjes së Energjisë, CEZ, i detyrohet Korporatës 55 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për të siguruar importin e nevojshëm të energjisë për disa muaj. Borxhi i trashëguar ndër vite, sipas KESH-it, ka përkeqësuar financat e kompanisë, të cilat së fundmi janë nën presion edhe për shkak të rënies së prodhimit vendas dhe kostove të larta që po krijon prodhimi i energjisë. Pikërisht për të zgjidhur këtë çështje, KESH sqaroi se detyrimet e CEZ-it tashmë janë në një proces gjyqësor. Por në të gjithë këtë situatë, KESH pretendon se çmimi me të cilin i shitet energjia CEZ-it është shumë më i ulët se kostoja e importit. Vitin që shkoi, Enti Rregullator jo vetëm që nuk mori në konsideratë kërkesën për rritje të çmimeve që kishte bërë KESH për vitin aktual, por e uli edhe më tej çmimin me të cilin KESH furnizonte CEZ-in. ERE vendosi që çmimi me të cilin CEZ bleu energjinë nga KESH-i gjatë vitit 2011, të jetë 1.48 lekë, nga 2.03 lekë që ishte deri më 31 dhjetor 2010. Me këtë veprim, shteti mori vetë përsipër kostot e mosrritjes së tarifave për CEZ-in, duke kompensuar atë me uljen e çmimit të energjisë që KESH i shiste CEZ-it. Nga kjo lëvizje, KESH–it iu krijuan automatikisht 50 milionë euro humbje për këtë vit financiar, shumë e cila pritet të kompensohet këtë vit nga çmimet e reja që do të miratojë ERE. E gjithë kjo vlerë në fakt ka shkuar në arkën e CEZ-it, i cili e bleu energjinë më lirë ndaj KESH-it, duke e shitur me të njëjtat çmime ndaj konsumatorëve të pakicës. Sipas KESH-it, ulja e çmimit e ndikoi negativisht bilancin e kompanisë, por situata e mirë e eksporteve e balancoi situatën. Mirëpo, këtë vit nuk ndodhemi në të njëjtat kushte. Prodhimi vendas pothuajse është drejt shterimit dhe nga ana tjetër çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar është 60-70 MGW, çmim me të cilin KESH po blen aktualisht. Ndërsa është një gjyq ende i hapur me Entin Rregullator të Energjisë për vendimin që u mor vjet në lidhje me çmimin. Ndërkohë që në kërkesën e këtij viti, e cila po shqyrtohet nga ERE dhe pritet të miratohet gjatë dhjetë ditëve të para të dhjetorit, KESH ka kërkuar rritje të çmimit ndaj CEZ-it për vitin 2012 në masën 239 për qind. Kështu, nga 1.48 lekë për kw/h që është tarifa aktuale, propozohet që gjatë vitit të ardhshëm të arrijë në 5.03 lekë për kw/h. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata Elektroenergjetike, niveli i ujit në basenin e Fierzës është diku mbi 263 metra ose më pak se 17 metra mbi pikun e vdekjes, që konsiderohet niveli 246 metër. Importi i energjisë aktualisht është 16 milionë kw/ orë në ditë. Nga kjo sasi KESH është duke importuar 12.4 milionë kilovatë, ndërsa CEZ 3.6 milionë kilovatorë. Konsumi ka arritur në mbi 22 milionë kilovatorë në ditë. Bazuar në këtë situatë, përjetimet e orëve të gjata pa drita rrezikojnë të kthehen.