E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ nuk po e shlyen borxhin ndaj KESH-it

Hidrocentrali i Vaut te Dejes, foto arkiv

Kompania çeke CEZ nuk i ka shlyer detyrimet ndaj Korporatës Energjetike Shqiptare, pavarësisht vendimit të qeverisë shqiptare të datës 29 shkurt të këtij viti, ku i vendosej kompanisë që të shlyente detyrimet brenda dy javëve.

Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo, u shpreh se, “detyrimi i CEZ-it arrin vlerën 10 miliardë lekë”, duke krijuar mungesë financiare dhe likuiditetesh në arkën e KESH-it. Nisur nga kjo gjendje, KESH ka marrë masat për të rikuperuar paratë, duke angazhuar subjekte private të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Nuk përdorim asnjë kompani tjetër, veç përmbaruesve privatë, pasi këtë mundësi na jep ligji”, u shpreh Zeqo.

Ndonëse niveli i ujit në liqenet e HEC-ve në kaskadën e Drinit janë në kapacitetet më të mira dhe ka sigurim të rezervës hidrike, Zeqo shprehet se, “KESH ka mungesë likuiditeti për shkak të borxhit të pakthyer nga CEZ-i”. Sipas tij, KESH po përgatitet të nisë eksportin e energjisë elektrike tek KEK-u në Kosovë brenda muajit.

/E.L/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›