Kur shteti nuk paguan shtetin, sh.a-të i kanë 40 mln dollarë borxh buxhetit

Mbledhje qeverie
Emirjon Senja
Vetëm nga paaftësia e organeve të fiskut për të vjelë ndër vite fitimin nga kompanitë sh.a që janë nën varësinë e shtetit, gropa që i është shkaktuar buxhetit vlerësohet në rreth 38 milionë dollarë. Ndërmarrje të mëdha, si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit, ARMO, një kompani celulare, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes etj., i kanë shtetit shqiptar rreth 4.1 miliardë lekë.
Ky detyrim, rrjedh nga fakti se ndërmarrjet nuk i kanë transferuar buxhetit të shtetit, fitimin e arritur gjatë aktivitetit të tyre përgjatë një viti. Sipas rregullit, çdo ndërmarrje shtetërore bën në fund të vitit bilancin dhe pasi ka mbyllur llogaritë me shpenzimet e saj, pjesën që mbetet nga fitimi ia transferon buxhetit të shtetit. Një fakt i tillë del nga kontrolli që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës gjatë vitit të shkuar. Shpërdorimet me fondet e shtetit rrjedhin që prej fillimit të viteve 2 000 duke u akumuluar nga viti në vit për të arritur në shifrën e mësipërme.
Edhe pse kanë kaluar 12 vjet, askush nuk është kujtuar për të vjelë këto fitime duke ia lenë në dorë ndërmarrjeve, të cilat më pas i kanë shpenzuar duke ofruar nga dy, tre apo më shumë paga shpërblim për punonjësit apo duke ia transferuar pronarit të ri në rastet kur ndërmarrja është privatizuar. Kështu ka ndodhur edhe me një kompania celulare, të cilës shteti i fali rreth 590 milionë lekë vetëm nga paaftësia e tij për të vjelë fitimin pas bërjes së bilancit. Kur u kujtua shteti, kompania kishte hyrë në proces privatizimi dhe ishte tepër vonë për të vjelë fitimin.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është një ndër debitorët e tjerë më të mëdhenj të arkës së shtetit për sa i përket mungesave në shpërndarjen e fitimit.
Mësohet se kompania duhej ti derdhte fitimin me vlerë 653 milionë lekë për vitin 2005 buxhetit të shtetit. Nga kontrolli i KLSH-së, është konstatuar se ndërmarrja ka derdhur vetëm 115 milionë lekë në llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe METE-s, kurse pjesa tjetër prej 538 milionë lekë mbetet pa shpresë kthimi.
Në vitin 2005, për KESH, ishte miratuar derdhja e dividendit në 2011 vlerën 653.2 milionë lekë, të ndarë për llogari të METE-s në vlerën 587.9 milionë lekë dhe për llogari të Tatim-Taksave në vlerën 65.3 milionë lekë. Deri më 31.12.2006 është derdhur vlera 65.3 milionë lekë, si tatim mbi dividendin dhe për llogari të METE-s është derdhur vlera 50 milionë lekë, dividendi në vlerën 538 milionë lekë, që i përket METE-s, do të mbetet pa shpresë arkëtimi, duke pasur parasysh gjendjen financiare dhe situatat e reja të krijuar në KESH, pas shitjes së OSSH-së paaftësia paguese është e lartë. Për pasojë mund të bëhet i pa arkëtueshëm edhe dividenti i OST-së, – raporton KLSH.
Për sa i përket ARMO-s, deri në momentin e kontrollit, KLSH raporton se ajo i ka Albpetrolit rreth 39 milionë dollarë, gjë e cila ka bërë që kompania shtetërore ti ndërpresë gjatë fillimit të këtij viti edhe furnizimi me lëndë të parë. Janë dërguar disa shkresa nga METE për likuidimin e dividentit te ARMO sh.a. Tiranë dhe OST sh.a. Tiranë. Është dërguar gjithashtu shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për bllokimin e llogarive bankare të ARMO sh.a deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve ndaj Albpetrol dhe Buxhetit te Shtetit , – deklaron KLSH.
Këto janë borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj buxhetit të shtetit ndër vite, por jo të vetmit. KLSH thekson gjithashtu se detyrime ndaj arkës së shtetit kanë edhe kompani të tjera me vlerë rreth 50 milionë lekë.
Neglizhenca, kompania celulare përfitoi 590 mln lekë para publike
Paaftësia e shtetit për të mbledhur të ardhurat e tij paraqitet shumë qartë në një histori të fillim-viteve 2000, cila gjen vend në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në atë periudhë, tregu i telefonisë celulare shënoi një zhvillim të konsiderueshëm duke i sjellë operatorëve të ardhura të konsiderueshme. Njëra ndër kompanitë (kur ishte ende shtetërore) realizoi gjatë një viti fitime të mira, nga të cilat 590 milionë lekë i takonin shtetit. Por asokohe kishin filluar procedurat e privatizimit. Autoritetet u vonuan në paracaktimin e pjesës së fitimit që kompani duhej ti transferonte shtetit dhe ajo hyri në proces privatizimi duke pasur në bilanc edhe fitimin në fjalë.
Shteti i kujtua më pas për ta marrë këtë shumë, por ishte e kotë. Çështja shkoi në gjykatë dhe fituan pronarët e rinj të kompanisë me një argument të qëndrueshëm sipas vendimit të gjykatës.Dividendi duhet të ishte llogaritur e arkëtuar para lidhjes së marrëveshjes për shitjen e saj në Kuvend, ka arsyetuar Gjykata e Lartë në vitin 2006. Sipas KLSH-së, ky dëm kë ardhur për shkak të paaftësisë së METE-s dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për tia vjelë fitimin kompanisë para se të shkonte në privatizim.
Pas vendimit të gjykatës, KLSH e konsideron pa shpresë mbledhje këtë detyrim ndaj shtetit. Detyrimi i pashlyer në vlerën rreth 589 milionë lekë dhe që përfaqëson dividendin e paderdhur për periudhën kur ky subjekt ka qenë me kapital 100% shtetëror (1 janar deri më 25 korrik të vitit 2000), është pa shpresë arkëtimi, pasi me vendimin nr.792, date 05.05.2006 të Gjykatës së Lartë është lënë në fuqi vendimi nr. 1296, datë 24.12.2003 i Gjykatës së apelit Tiranë, i cili ka rrëzuar padinë e ngritur nga DPT dhe METE, për arkëtimin e dividendit të paderdhur vlerën 589 milion lekë, detyrim ky i vitit 2000, para privatizimit. Gjykata e Lartë ka vendosur në favor të kompanisë, me arsyetimin se dividendi duhet të ishte llogaritur e arkëtuar para lidhjes së marrëveshjes për shitjen e saj në Kuvend, – shpjegohet në raport.
Pronë e shtetit
Opinion nga Emirjon Senja
Pronë e shtetit. Kjo është logjika që duket se ka udhëhequr autoritetet përgjegjëse për mbledhjen e të ardhurave në buxhet gjatë këtyre viteve. Të paktën kjo është ajo që vërehet nga raportet e këtij lloji të publikuara herë pas here në media pas kontrolleve të ushtruara në dikastere të ndryshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sjellja neglizhuese ndaj çdo gjejë të përbashkët duke e lënë të degradohet deri në pikën e fundit është edhe gjeneza e një problematike të tillë.
Por ka edhe prej atyre që mendojnë se këto nuk kemi të bëjmë vetëm me punë neglizhence por edhe me veprime të qëllimshme. A nuk u veprua kështu edhe me sektorin e naftës, ku puset e naftës të Albpetrol u katandisën si mos më keq për ti shitur më pas për një copë bukë? Këtë teori ma shtiu një specialist nafte kur po bënin ciklin e shkrimeve mbi Marrëveshjet Hidrokarbure në Shqipëri. Sipas tij, sektorët strategjikë lihen të vdesin me plani për ti privatizuar pastaj me pak lekë duke i siguruara vrasësve të ardhura të majme sa mjaftojnë për disa breza me radhë. Në fakt nuk dua ta besoj, por siguria dhe bindja e tij, prej një njohësi të mirë të fushës të bën të paktën ta mendosh…
Bujar Leskaj
Citim
Dividendi në vlerën 538 milionë lekë, që i përket METE-s, do të mbetet pa shpresë arkëtimi, duke pasur parasysh gjendjen financiare dhe situatat e reja të krijuar në KESH, pas shitjes së OSSH-së paaftësia paguese është e lartë
16
vjet kanë kaluar që prej momentit kur ka filluar akumulimi i këtij borxhi që Ndërmarrjet Shtetëror