CIA mohon ekzistimin e burgjeve të fshehta
Zëdhënësi i CIA-s, Preston Golson, tha se "çdo sugjerim se agjencia është ende në biznesin e paraburgimit është i painformuar dhe i pabazë".
Në janar të vitit 2009, Presidenti amerikan Barak Obama ia hoqi CIA-s kompetencat për të mbajtur të burgosur. Vendimi thotë se CIA nuk mund të ketë burgje të fshehta rreth botës.
Në një fjalim muajin e kaluar në Universitetin e Denverit, biografja e ish-shefit të CIA-s, Petraus, Paula Broadwell tha se sulmi në Benghazi ishte një përpjekje për të çliruar militantët libianë që mbaheshin në një aneks të CIA-s në qytet.
Katër amerikanë u vranë në atë sulm, duke përfshirë ambasadorin e SHBA në Libi, Christopher Stevens.
Universiteti postoi një video të fjalimit në YouTube, ku Paula Broadwell thotë se informacioni "ende është duke u verifikuar", por nuk thotë se nga e ka marrë informacionin.
Disa raporte sugjerojnë se Broadwell mund t'i ketë marrë të dhënat nga Fox News, rrjet televiziv që ajo e ka cituar si burim për informacione të tjera.