COP29 – Rritet presioni mbi ministrat për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve në bisedimet e OKB-së për klimën

LONDËR, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Presioni po rritet mbi ministrat për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve në COP29 – ndërsa samiti i OKB-së për klimën hyn në javën e tij të dytë.
Sekretari i Energjisë në Britaninë e Madhe, Ed Miliband mbërriti dje në Baku, Azerbajxhan, për t’u bashkuar me ministrat e tjerë të qeverisë për bisedime – për të arritur një angazhim të ri global mbi financat për vendet e varfra për të përballuar ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe për të gjelbëruar ekonomitë e tyre.
Vendet e pasura premtuan financa private dhe publike me vlerë 100 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar vendet më të varfra – dhe ranë dakord që një marrëveshje e re për financimin e klimës të vendosej përpara vitit 2025.
Ekspertët thanë se një total prej 1 trilion dollarësh duhet të derdhen në vendet në zhvillim çdo vit deri në vitin 2030, pa Kinën, për të përmbushur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit.
Por, java e parë e këtyre negociatave rezultoi në progres të kufizuar dhe goditi mure në bisedimet për përshtatjen, uljen e emetimeve dhe mbajtjen e angazhimeve të mëparshme në rrugën e duhur.
Pika të tjera penguese të negociatave në COP29 përfshijnë përparimin dhe veprimin në marrëveshjen e vitit të kaluar për largimin nga karburantet fosile në sistemet energjetike dhe se si kjo reflektohet në planet kombëtare të veprimit për klimën e vendeve të veçanta (NDC).
Me negociatat e vështira në Baku, besimi në procesin shumëpalësh në bisedimet e OKB-së për klimën filloi të lëkundet gjatë ditëve të fundit.
Grupi i shkencëtarëve të shquar, avokatëve dhe ekspertëve të politikave, duke përfshirë ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon dhe ish-sekretaren ekzekutive të OKB-së për Klimën (UNFCCC) Christiana Figueres tha se vendet që nuk mbështesin fazën e largimit të karburanteve fosile në sistemet energjetike – nuk duhet të presin samitet e ardhshme të OKB-së për klimën.
Shqetësimet po rriten gjithashtu pasi fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund të nxisë disa vende të ndjekin shembullin dhe të tërhiqen nga marrëveshja për klimën, duke filluar me Argjentinën, e cila tërhoqi delegacionin e saj nga samiti javën e kaluar. //a.i/