E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

COP29 – Stiell: Ne nuk mund të largohemi nga Baku pa një rezultat thelbësor

BAKU, 11 nëntor /ATSH-AZERTAC/ – Ky proces i UNFCCC është i vetmi vend ku duhet të trajtojmë krizën e shfrenuar klimatike dhe për t’i kërkuar llogari njëri-tjetrin për të vepruar në lidhje me të, deklaroi sot Simon Stiell, sekretari Ekzekutiv i Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), teksa iu drejtua në ceremoninë e hapjes së sesionit të 29-të të Konferencës së Palëve (COP29) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

”Kjo krizë po prek çdo individ në botë në një mënyrë ose në një tjetër. Kjo është arsyeja pse këtu në Baku, ne duhet të biem dakord për një qëllim të ri financiar global për klimën. Dhe unë jam po aq i frustruar sa kushdo tjetër që një COP i vetëm nuk mund të japë transformimin e plotë që i nevojitet çdo kombi”, deklaroi Stiell.

”Nëse të paktën dy të tretat e kombeve të botës nuk mund të përballojnë uljen e shpejtë të emetimeve, atëherë çdo komb paguan një çmim brutal. Nëse kombet nuk mund të ndërtojnë elasticitet në zinxhirët e furnizimit, e gjithë ekonomia globale do të gjunjëzohet. Pra, le të heqim dorë nga çdo ide se financimi i klimës është bamirësi”, theksoi ai.

”Një synim i ri ambicioz për financimin e klimës është tërësisht në interesin vetjak të çdo kombi, duke përfshirë më të mëdhenjtë dhe më të pasurit. Por, nuk mjafton vetëm të biesh dakord për një qëllim. Ne duhet të punojmë më shumë për të reformuar sistemin financiar global. Ne duhet të ecim përpara në zbutjen, kështu që objektivat nga Dubai të realizohen”, tha Stiell.

”Paralelisht, ne do të rifillojmë me javët e klimës nga viti 2025. Ne nuk mund ta lëmë Bakun pa një rezultat thelbësor. Tregoni vendosmëri dhe zgjuarsi këtu në COP29 – Ne kemi nevojë që të gjitha palët të shtyjnë për një marrëveshje”, përfundoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›